Türkiye ka dënuar “fuqishëm” sulmin vdekjeprurës në Damask të Sirisë.
“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin e kryer sot (2 korrik) në zonën Hijaz të kryeqytetit sirian Damask, i cili shkaktoi viktima”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes.
Ministria turke u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe popullit sirian, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.
Ajo tha se Türkiye mbetet e bindur se “përgjigjja më e mirë ndaj përpjekjeve të tilla, të cilat synojnë të minojnë përparimin e arritur drejt vendosjes së stabilitetit dhe sigurisë së qëndrueshme në Siri dhe të prishin paqen sociale, do të jepet edhe një herë nga populli sirian duke ruajtur unitetin dhe solidaritetin e tij”.
“Türkiye do të vazhdojë të qëndrojë në solidaritet me Sirinë gjatë gjithë këtij procesi”, shtoi ministria.
Më herët, Ministria e Shëndetësisë e Sirisë bëri të ditur se të paktën pesë persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosën nga një shpërthim me bombë në një kafene në qendër të Damaskut.
Sipas korrespondentit të televizionit Alikhbariah, shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i vendosur brenda kafenesë në rrugën Al-Nasr pranë Pallatit të Drejtësisë.
Deri tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, ndërsa hetimet janë ende në vazhdim.























