Qeveria franceze do të aktivizojë për herë të parë të premten planin e saj të emergjencës ORSEC për Vapën Ekstreme në të gjitha departamentet që janë vendosur nën nivelin më të lartë të alarmit të kuq për valën e të nxehtit, njoftoi zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon.
"Ne do të aktivizojmë sot, në të gjitha departamentet që janë nën alarmin e kuq për valën e të nxehtit, planin ORSEC për Vapën Ekstreme. Do të hapim qendra freskimi për të strehuar personat më të rrezikuar", deklaroi Bregeon për televizionin TF1.
Plani, i prezantuar më 2 korrik, synon të organizojë një reagim të koordinuar të të gjitha autoriteteve publike gjatë periudhave me temperatura ekstreme.
Ky mekanizëm i ri i mbrojtjes civile është krijuar për të mobilizuar burime shtesë gjatë periudhave me temperatura jashtëzakonisht të larta. Ai përfshin gjithashtu masa për identifikimin dhe ndihmën ndaj personave që jetojnë të izoluar.
Sipas buletinit të fundit të Meteo-France, nëntë departamente në Francën perëndimore do të vendosen nën alarmin e kuq për valën e të nxehtit duke filluar nga mesdita e së premtes.
Ndërkohë, edhe 72 departamente të tjera mbeten nën alarmin portokalli për temperatura të larta.
Meteo-France bëri të ditur se vala e të nxehtit, e cila ka përfshirë Francën që nga 4 korriku, pritet të vazhdojë të paktën deri të martën, ndërsa temperaturat parashikohet të rriten sërish të dielën.
Temperaturat e larta të zgjatura kanë favorizuar edhe përhapjen e zjarreve pyjore. Gjatë javës së parë të korrikut janë djegur 9.921 hektarë, gati trefishi i sipërfaqes së shkatërruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret, autoritetet kanë anuluar edhe disa shfaqje tradicionale të fishekzjarrëve për Ditën e Bastijës, përfshirë ato në departamentet Herault dhe Vendee.






















