Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hap arkivat dhe të veprojë në frymën e penedesës e të bashkëpunimit.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti i bëri këto deklarata në takimin konsultativ lidhur me listën preliminare të viktimave të luftës në Kosovë në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Prishtinës deri tek ekspertë dhe organizata, ku u diskutua lidhur me versionin fillestar të listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe plotësimet e nevojshme.
“Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hap arkivat dhe të veprojë në frymën e pendesës e të bashkëpunimit, për të cilin është obliguar me Deklaratën e 2 majit të vitit 2023 nga Brukseli. Fshehja e krimeve përmes klasifikimit të tyre për dekada të tëra, nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve, bashkëpunimit e as paqes në rajon”, tha Kurti gjatë këtij takimi.
Ai tha se dokumentimi ka rëndësi edhe për drejtësinë dhe krimet e kryera gjatë luftës nuk mund të mbeten vetëm në kujtesë, por ato duhet të jenë pjesë e dosjeve, arkivave, hetimeve, proceseve të drejtësisë dhe punës institucionale për zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur.
Më tej, kryeministri në detyrë tha se Kosova është e përkushtuar për paqe, për siguri dhe për bashkëpunim rajonal, por paqja e qëndrueshme dhe siguria për të gjithë, kërkon ballafaqim me të vërtetën.
“Krimet e Serbisë në Kosovë, karakteri dhe përmasat gjenocidale të dhunës shtetërore dhe përpjekja për ta zhbërë praninë shqiptare nga vendi ynë, kërkojnë trajtim serioz, institucional dhe të vazhdueshëm. Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, duhet ta verifikojmë dhe duhet ta ruajmë. Duhet ta bëjmë të qasshme për drejtësinë, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh”, tha Kurti.
Kurti tha se me këtë bindje, në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës e themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në këtë takim u prezantua lista preliminare e viktimave të luftës në Kosovë e cila është rezultat i një procesi më shumë se dyvjeçar i mbledhjes, krahasimit dhe të verifikimit të të dhënave.




















