| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Kolonët izraelitë kryejnë 14 sulme në Bregun Perëndimor
Organi palestinez thotë se sulmet u regjistruan në Ramallah, Hebron, Nablus dhe Betlehem, ku vodhën 300 dele dhe ndërprenë injën e ujit.
Kolonët izraelitë kryejnë 14 sulme në Bregun Perëndimor
Kolonët izraelitë kryejnë 14 sulme në Bregun Perëndimor

Kolonët izraelitë kryen të paktën 14 sulme në katër provinca të Bregut Perëndimor të pushtuar të shtunën, duke vjedhur rreth 300 dele dhe duke ndërprerë një linjë kryesore të furnizimit me ujë për qindra palestinezë, sipas një organi zyrtar palestinez.

Komisioni Palestinez për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit tha se sulmet u regjistruan gjatë mbrëmjes në provincën Ramallah dhe Al-Bireh, si dhe në Hebron, Nablus dhe Betlehem.

Sipas komisionit, gjashtë sulme u raportuan në provincën Ramallah dhe Al-Bireh, nga tre në Hebron dhe Nablus dhe dy në Betlehem.

Në Ramallah dhe Al-Bireh, kolonët izraelitë hapën zjarr në drejtim të shtëpive palestineze në fshatin Al-Mughayyir, sulmuan banorët me sprej piperi dhe dëmtuan një autoambulancë.

Ata gjithashtu sulmuan një palestinez, vodhën prodhimin e ullinjve dhe, sipas raportimeve, morën rreth 300 dele nga zona Al-Hayyan në Deir Dibwan, bëri të ditur komisioni.

Në Hebron, kolonët ndërprenë linjën kryesore të ujit që furnizon fshatin Ad-Duqaiqa në zonën Yatta, duke lënë rreth 700 palestinezë pa ujë, si dhe i vunë zjarrin një objekti bujqësor.

Ata sulmuan gjithashtu një familje në Khallat al-Hummus në Hebron dhe e detyruan ta zhvendoste tendën e ngritur mbi rrënojat e shtëpisë së tyre të shkatërruar, në kërkim të një vendi më të sigurt, tha komisioni.

Në Nablus, kolonët lëvizën mes shtëpive palestineze në qytetin Al-Lubban ash-Sharqiya dhe vodhën pajisje nga toka që i përket fshatit An-Naqura.

Në Betlehem, ata ndoqën barinjtë në fshatin Za'atara, lëshuan bagëtitë në toka në pronësi të palestinezëve dhe u grumbulluan pranë shtëpive në zonën Wadi Abu Njeim, shtoi komisioni.

Sipas të dhënave të komisionit, kolonët izraelitë kryen 628 sulme në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, gjatë muajit gusht.

Në gusht, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i përshkroi izraelitët e përfshirë në sulme të dhunshme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar si “terroristë”, duke paralajmëruar se veprime të tilla po i shkaktojnë dëme serioze imazhit të Izraelit.

Në qershor, 14 raportues specialë të OKB-së paralajmëruan se rritja e ndjeshme e “terrorizmit të kolonëve”, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e shtetit izraelit në territorin e pushtuar palestinez, përbën kërcënim ekzistencial për komunitetet palestineze.

Rreth 750.000 kolonë izraelitë jetojnë në 156 vendbanime të paligjshme dhe 360 pika kolonizimi në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë