Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka pritur në takim kryenegociatorin e Kosovës për dialog me Serbinë, Agron Bajrami.
Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë gjatë takimit me Sorensen, kryenegociatori kosovar Bajrami ka vlerësuar se progresi në dialog varet nga llogaridhënia e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë.
“Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Millan Radojiçiq, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë”, ka thënë Bajrami sipas njoftimit të ministrisë.
Bajrami gjithashtu ka theksuar që Kosova është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, siç thuhet, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në BE.
“Ai po ashtu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO-ja dhe OKB-ja”, thuhet në njoftim.
Sa u përket hapave të ardhshëm, Bajrami ka theksuar se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe joselektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit implementues të Ohrit, që thuhet se përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në gjithë territorin e Kosovës.
Bëhet e ditur po ashtu se në takimin e kryenegociatorit kosovar me emisarin evropian janë shkëmbyer mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.























