| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Policia Kufitare e Shqipërisë shpëtoi 11 emigrantë
Punonjësit e Policisë Kufitare thanë se jeta e tyre kishte qenë në rrezik serioz, pasi gomonia ishte e përshtatshme për vetëm një ose dy persona, ndërsa në të udhëtonin plot 11 persona.
Policia Kufitare e Shqipërisë shpëtoi 11 emigrantë
Policia Kufitare e Shqipërisë shpëtoi 11 emigrantë

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në ujërat pranë Vlorës në Shqipëri, ku Policia Kufitare u ka ardhur në ndihmë 11 emigrantëve të paligjshëm, pasi gomonia me të cilën udhëtonin pësoi defekt në det.

Sipas informacioneve paraprake, mjeti lundrues, rreth 2,5 metra i gjatë, kishte mbetur në det rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë. 

Emigrantët janë me shtetësi të ndryshme: pesë nga Bangladeshi, tre nga Pakistani, një nga Libia, një nga Afganistani dhe një nga Haiti.

Sipas dëshmive të tyre, ata kishin kaluar një kohë të gjatë në det dhe synimi i tyre ishte të mbërrinin në Itali. 

Punonjësit e Policisë Kufitare thanë se jeta e tyre kishte qenë në rrezik serioz, pasi gomonia ishte e përshtatshme për vetëm një ose dy persona, ndërsa në të udhëtonin plot 11 persona.

Pas shpëtimit, emigrantët u transportuan në zonën e Triportit dhe më pas do të shoqërohen në Komisariatin e Policisë Vlorë, ku do t’u nënshtrohen procedurave ligjore dhe do të merren në pyetje për të sqaruar itinerarin që kishin ndjekur.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë