Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për Anadolu se masa është caktuar sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale. Ajo bëri të ditur se i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale si pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Sebisë në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut.
"Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it në Ferizaj dhe polic i trafikut në rajonin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan. Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik", ka njoftuar Gashi.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore ushtarake serbe më 9 mars 1999 gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan.
"Ndërsa 91 meshkuj u ndanë nga rreth 400 burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik. Sipas kërkesës, prej tyre, 13 civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç’rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit", thuhet në njoftim.






















