Projektligji ku përfshihet buxheti dhe çështjet e tjera për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, i ka kaluar për miratim Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në Komisionin për Kulturë, Turizëm dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të martën anëtarët e komisionit miratuan projektligjin dhe e dërguan atë për miratim nga ligjvënësit kosovarë në seancat e ardhshme parlamentare.
Ministri i Kulturës dhe i Turizmit i Kosovës, Blerim Gashani, tha se Lojërat Mesdhetare 2030 do ta vendosin Kosovën në hartën ndërkombëtare si një vend që organizon ngjarje të mëdha si dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve, avancimin e sportit dhe forcimin e imazhit të shtetit.
Gashani tha se ligji ka për detyrë përcaktimin e rregullave dhe procedurave si dhe të të hyrave dhe përgjegjësive të institucioneve shtetërore dhe subjekteve të tjera në lidhje me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Përmes këtij ligji, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta miratojë shfrytëzimin e fondeve publike për organizimin e Lojërave Mesdhetare, në shumën prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 eurove. Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës si dhe të komunave tjera të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, tha Gashani.
Nga nëntë anëtarë prezentë në mbledhjen e këtij Komisioni, vetëm anëtari nga Lista Serbe, Milan Kostic, abstenoi, ndërsa të tjerët votuan pro që projektligji t’u kalojë në dorë deputetëve të Kuvendit për votim në lexim të parë.
Kosova do të jetë për herë të parë organizatore e lojërave mesdhetare të cilat pritet të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030.
Shqipëria është zotuar se do ta ndihmojë Kosovën në këtë organizim duke ia ofruar bregdetin e vet për garat në sportin e lundrimit.
Në këtë organizim pritet të marrin pjesë 26 vende nga tri kontinente, ndërsa programi sportiv përmban rreth 24 sporte, me pjesëmarrjen e rreth 5 mijë sportistëve.





















