| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Llavrov: DAESh synon ta destabilizojë Afganistanin dhe të zgjerohet në Azinë Qendrore dhe Rusi
Ministri i Jashtëm rus tha se “grupet terroriste dhe ekstremiste” kanë prani të konsiderueshme në zonat kufitare të Afganistanit pranë Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit, përfshirë kampet e stërvitjes dhe bastionet e tyre.
Llavrov: DAESh synon ta destabilizojë Afganistanin dhe të zgjerohet në Azinë Qendrore dhe Rusi
Llavrov: DAESh synon ta destabilizojë Afganistanin dhe të zgjerohet në Azinë Qendrore dhe Rusi

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Llavrov, ka deklaruar se një degë e organizatës terroriste DEASh (ISIS) synon të minojë qeverinë talebane në Kabul dhe ta përdorë Afganistanin si bazë për zgjerimin e “aktivitetit terrorist” në Azinë Qendrore dhe Rusi.

Kryediplomati rus foli në një konferencë të përbashkët të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, Komonuelthit të Shteteve të Pavarura dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, kushtuar sigurisë në Azinë Qendrore dhe Afganistan, e mbajtur në Moskë.

Ai tha se “grupet terroriste dhe ekstremiste” kanë një prani të konsiderueshme në zonat kufitare të Afganistanit pranë Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit, përfshirë kampet e stërvitjes dhe bastionet e tyre.

Lavrov pretendoi se militantët po përpiqen të hyjnë në vendet e Azisë Qendrore, ndonjëherë duke u paraqitur si refugjatë ose turistë. Gjithashtu ai paralajmëroi për përpjekjet për kontrabandimin e armëve dhe drogës nga Afganistani, përmes rajonit, drejt Rusisë.

Llavrov bëri thirrje që Rusia dhe partnerët e saj në Azinë Qendrore të forcojnë reagimin e koordinuar ndaj kërcënimeve të sigurisë, përfshirë përmes organizatave rajonale dhe bashkëpunimit me autoritetet talebane të Afganistanit.

Ai tha se Moska e konsideron të nevojshëm bashkëpunimin me qeverinë talebane dhe se Rusia mbështet përpjekjet për integrimin e Afganistanit në proceset ekonomike rajonale, si dhe ofrimin e ndihmës ekonomike dhe humanitare për vendin.

“Ne nisemi nga premisa se qeveria, lëvizja talebane, është një realitet që duhet marrë parasysh. Një numër gjithnjë e më i madh vendesh në mbarë botën po e dëshmojnë tashmë këtë qëndrim”, tha ai.

Kryediplomati rus kritikoi zgjerimin e rolit të NATO-s në fushën e sigurisë, duke thënë se aleanca synon të imponojë vullnetin e saj shumë përtej zonës së përgjegjësisë.

“NATO-ja nuk ka të bëjë me Euroazinë”, tha Lavrov duke argumentuar se kontinenti ka nevojë për një kuadër sigurie të hartuar nga vetë vendet e tij.

Ai tha se Euroazia ka nevojë për një kuadër sigurie të zhvilluar nga vetë vendet e saj, duke rikonfirmuar mbështetjen e Rusisë për një Partneritet të Madh Euroaziatik dhe për një arkitekturë të re kontinentale të sigurisë, që do të përfshinte vende dhe organizata rajonale në të gjithë Euroazinë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë