Kolumbia njoftoi të enjten se po tërhiqet nga Grupi i Hagës, një koalicion ndërkombëtar i krijuar për të koordinuar masat ligjore dhe diplomatike në përgjigje të veprimeve të Izraelit në territoret e pushtuara palestineze.
“Kolumbia zyrtarisht kërkoi tërheqjen nga Grupi i Hagës, një grup i krijuar për të izoluar dhe sulmuar Izraelin. Ne e kundërshtojmë këtë qasje”, ka thënë ministri i Jashtëm, Omar Bula, në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme.
Ministria bëri të ditur se Kolumbia ka kërkuar zyrtarisht largimin nga grupi si shtet anëtar dhe bashkëkryesues. Ajo konfirmoi gjithashtu se Bolivia dhe Hondurasi janë tërhequr nga koalicioni, i cili u themelua më 31 janar 2025 për të nxitur veprime të koordinuara lidhur me Izraelin dhe territoret palestineze.
Grupi i Hagës u themelua nga Bolivia, Kolumbia, Kuba, Hondurasi, Malajzia, Namibia, Senegali dhe Afrika e Jugut. Anëtarët themelues u zotuan të kërkojnë përgjegjësi për shkeljet e e së drejtës ndërkombëtare dhe të mbështesin të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.
Grupi ka synuar të nxisë veprime të koordinuara nga qeveritë për të respektuar detyrimet e së drejtës ndërkombëtare lidhur me territoret e pushtuara palestineze.
Ministria e Jashtme riafirmoi përkushtimin e Kolumbisë ndaj multilateralizmit, së drejtës ndërkombëtare dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Ajo përsëriti gatishmërinë e vendit për të kontribuuar në paqen, drejtësinë dhe sigurinë ndërkombëtare përmes sistemit të Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratë nuk specifikohet se kur do të hyjë në fuqi tërheqja dhe as nuk u dhanë hollësi të mëtejshme për vendimin.



























