| Albanian
RAJONI
4 minuta leximi
ATTSO dhe Kryqi i Kuq Shqiptar organizojnë aktivitet për dhurimin e gjakut
Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij në aktivitet u shpreh se dhurimi i gjakut shpëton jetë.
ATTSO dhe Kryqi i Kuq Shqiptar organizojnë aktivitet për dhurimin e gjakut
ATTSO dhe Kryqi i Kuq Shqiptar organizojnë aktivitet për dhurimin e gjakut / AA

Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë Shqipëri-Türkiye (ATTSO) në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar ka organizuar në Tiranë aktivitetin me temë "Dhuroni gjak, bëhuni shpresë", me fokus dhurimin vullnetar të gjakut.

Pjesë e aktivitetit ishin përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, të organizatave dhe të biznesit për të dhuruar gjak.

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij në aktivitet u shpreh se dhurimi i gjakut shpëton jetë.

"Ky organizim nuk është vetëm një program social, por është edhe bashkim i kulturave mes dy vendeve tona. Jemi shumë të lumtur që shikojmë organizime të tilla, sepse vëllazëria dhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera mes dy vendeve siç shikohet edhe sot, ne na lumturojnë shumë", tha Erciyes.

Duke theksuar se gjatë tërmeteve në Türkiye dhe Shqipëri, panë dhe vërtetuan vëllazërinë që kanë dy vendet, ambasadori Erciyes theksoi se "ky është shembulli më i mirë i marrëdhënieve dhe të solidaritetit që kanë dy shtete mikë dhe vëllazërore, Türkiye dhe Shqipëria".

Duke iu referuar edhe Spitalit Rajonal Memorial në Fier i ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes, ambasadori turk tha se një shembull i madh i vëllazërisë mes dy vendeve është treguar edhe në kohën e pandemisë COVID-19.

- "Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë në dukje, por me vlerë të jashtëzakonshme jetike"

Kryetari i Bordit Drejtues të ATTSO-së, Kenan Sevinç, u shpreh se sot janë mbledhur për të qenë pjesë e një akti solidariteti që shpëton jetë.

"Në këtë mandat të ri vizioni ynë nuk është vetëm t'i bashkojmë komunitetet e biznesit, por edhe ta promovojmë solidaritetin mes dy vendeve mike, të mbështesë iniciativa në shërbim të shoqërisë dhe të kontribuojmë në forcimin e kulturës dhe përgjegjësisë sociale. Aktiviteti që organizojmë sot së bashku me Kryqin e Kuq Shqiptar është shembull i qartë i këtij vizioni", tha Sevinç.

Drejtoresha e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" Tiranë (QSUNT), Rudina Degjoni, u shpreh se misioni i tyre është i qartë, "shërbimi ndaj pacientit, shërbimi ndaj qytetarit dhe ndaj jetës njerëzore".

"Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë në dukje, por me vlerë të jashtëzakonshme jetike. Ai përfaqëson solidaritetin më të pastër njerëzor ku një individ i shëndetshëm i jep mundësi të dytë jetës së dikujt tjetër. Në këtë kuadër edhe roli qendrës më të madhe shëndetësore universitare në vend është thelbësor dhe i pazëvendësueshëm në sistemin shëndetësor të vendit", tha Degjoni.

- "Kjo tregon dhe një herë miqësinë në shekuj midis Türkiyes dhe Shqipërisë"

Zv.presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Gjon Boriçi, në fjalën e tij tha se aktiviteti organizohet edhe në kuadër të 14 Qershorit, Ditës Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut.

"Kjo ditë është një moment reflektimi mbi vlerat më të larta njerëzore. Ajo na kujton se solidariteti nuk është thjesht një koncept, por një veprim konkret i zgjedhur për t'u dhënë nga vetja për të shpëtuar jetë. Për Kryqin e Kuq Shqiptar, dhurimi vullnetar i gjakut është një nga ato aktet më të pastra të humanizmit. Shpreh një falënderim të veçantë dhe të përzemërt për Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë Shqipëri-Türkiye e cila është bashkorganizatore dhe mbështetëse kryesore e këtij aktiviteti", tha Boriçi.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Arian Jaupllari, i cili theksoi se ky aktivitet organizohet në një bashkëpunim shumë të frytshëm mes Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë Shqipëri-Türkiye e Kryqit të Kuq Shqiptar.

"Kjo tregon dhe një herë miqësinë në shekuj midis Türkiyes dhe Shqipërisë, marrëdhëniet tona të shkëlqyera në të gjitha fushat dhe bashkëpunimin vëllazëror mes dy popujve. Sot iu drejtohem jo vetëm në cilësinë e zv.ministrit të Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, por edhe si profesionist i shëndetësisë i cili prej 22 vitesh dhuron gjak rregullisht, minimalisht dy herë në vit", tha Jaupllari.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe dhurimi vullnetar i gjakut.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë