Kompania Siriane e Naftës ka njoftuar nisjen e operacionit të parë të eksportit të karburantit të rëndë irakian drejt tregjeve globale.
Karburanti i rëndë është përzierje e mbetjeve të rënda që mbeten pas rafinimit të naftës bruto dhe përdoret si burim energjie për prodhimin e nxehtësisë, energjisë elektrike dhe energjisë mekanike. Kompania tha se ka nisur ngarkimin e karburantit irakian në tanker-in “Asahi Princess” në rafinerinë Baniyas në provincën Tartus në perëndim të Sirisë, në një operacion që pritet të zgjasë rreth tre ditë.
Sipas kompanisë, kapaciteti i anijes vlerësohet në rreth 85 mijë tonë, pa bërë të ditur kombësinë apo destinacionin e saj. Ajo shtoi se procesi i ngarkimit po kryhet përmes një tubacioni që lidh rafinerinë Baniyas me terminalin e naftës dhe se operacioni mund të zgjasë tre ditë ose më shumë në varësi të kushteve atmosferike.
Ky operacion shënon eksportin e parë të karburantit irakian përmes portit të naftës siriane që nga dhjetori i vitit 2024. Ky hap vjen pas rihapjes së pikës kufitare Al-Tanf–Al-Waleed midis Sirisë dhe Irakut, e cila ka qenë e mbyllur për 11 vjet pas marrjes së zonës kufitare nga grupi terrorist DEASh në vitin 2015.
Më 1 prill, kolonat e para të karburantit irakian hynë në territorin sirian përmes kësaj pike në drejtim të rafinerisë Baniyas. Drejtori i komunikimit korporativ në Kompaninë Siriane të Naftës, Safwan Sheikh Ahmad, më herët për Anadolu ka thënë se fluksi i karburantit irakian pritet të arrijë rreth 500 mijë tonë në muaj.
Ky zhvillim vjen mes ndërprerjeve në trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit pas luftës së ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, duke shtyrë vendet të konsiderojnë rrugë alternative detare dhe tokësore për t'i ruajtur zinxhirët e furnizimit dhe rrjedhën e energjisë.





















