Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se po punojnë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe për një marrëveshje të re partneriteti strategjik, transmeton Anadolu.
Kryeministri Rama po qëndron për vizitë në Greqi në kuadër të punimeve të Forumit Ekonomik të Delphit, ndërkohë është takuar me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
"Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik", ka shkruar Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po qëndrojnë për vizitë në Greqi, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delphit.
























