Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se Beogradi Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar para 13 vitesh, e ka zbatuar me mirëbesim, ndërsa në këmbim për gjithçka janë gënjyer si nga Prishtina ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe se qëllimi është të njihet pavarësia e Kosovës dhe të mos themelohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Vuçiq në një intervistë për “Kosovo Online”, me rastin e 19 prillit, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, tha se ajo ditë në vitin 2013 nuk ishte ditë e lehtë për Beogradin, por një ditë e mbushur me kompromise në kushte pothuajse të pamundura.
“Është e lehtë pas betejës të jesh gjeneral, por ne arritëm diçka që garantonte të drejtat elementare për popullin tonë në Kosovë, mbijetesën në Kosovë, ndërsa nuk pranonte pavarësinë apo shtetësinë e Kosovës. Presionet ishin të mëdha nga të gjitha anët dhe dikush mund të thotë se presioneve gjithmonë mund t’u rezistosh. Nëse dikush u ka rezistuar presioneve, atëherë ato kanë qenë delegacionet në punën e të cilave kam marrë pjesë edhe unë dhe jam përpjekur të mbrojmë interesat tona në mënyrën më të fortë dhe më të fuqishme”, tha Vuçiq.
Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve dhe zgjidhjen e çështjeve praktike në terren. Ajo parashikon krijimin e një kornize bashkëpunimi institucional, përfshirë edhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si pjesë e angazhimeve të dakorduara nga të dyja palët në procesin e dialogut.























