Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes ka deklaruar se samiti i ardhshëm i NATO-s në Türkiye do të shënojë një “pikë kthese të rëndësishme”, duke e riafirmuar angazhimin e palëkundur të aleancës për mbrojtjen kolektive dhe duke vënë në pah rolin strategjik të Ankarasë brenda NATO-s.
Duke folur në konferencën javore për media në Ankara, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Zeki Akturk tha se samiti do të shërbejë si një platformë kyç për përcaktimin e drejtimit strategjik të ardhshëm të NATO-s.
“Samiti i NATO-s që do të mbahet në vendin tonë do të riafirmojë angazhimin e palëkundur të aleancës për mbrojtjen kolektive, do ta forcojë përshtatjen e saj ndaj mjedisit të sigurisë në zhvillim dhe mirëkuptimin e përbashkët për parandalimin, si dhe do ta formësojë orientimin e saj strategjik për të ardhmen”, tha Akturk.
Ai tha se samiti, i planifikuar për më 7 dhe 8 korrik, do të tregojë edhe një herë pozitën e Türkiyesë në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë dhe rolin e saj strategjik brenda aleancës.
“Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë samitin si një pikë kthese të rëndësishme ku vendosmëria e NATO-s për t’u përshtatur me mjedisin e ndryshueshëm të sigurisë do të demonstrohet konkretisht dhe ku do të formësohet një qasje e përbashkët lidhur me të ardhmen e Aleancës”, theksoi ai.
Akturk tha se Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, i cili do të mbahet në kuadër të samitit, pritet të kontribuojë në rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e bashkëpunimit transatlantik në industrinë e mbrojtjes dhe rritjen e mëtejshme të kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese të aleancës.
Ai tha se Forcat e Armatosura Turke vazhdojnë të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global përmes misioneve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, teksa njëkohësisht mbrojnë sigurinë kombëtare.
Izraeli, pengesa më e madhe për paqen në Lindjen e Mesme
Duke folur për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Akturk tha se Izraeli mbetet pengesa më e madhe për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë qëndrim më të vendosur dhe të ndërmarrë hapa konkret kundër politikave “ekspansioniste, destabilizuese dhe provokuese” të Izraelit.
Akturk gjithashtu dënoi sulmet izraelite në Siri, duke shtuar se Izraeli vazhdon sulmet edhe në Liban pavarësisht një marrëveshjeje kornizë të ndërmjetësuar nga ShBA-ja. “Sulmet e Izraelit që synojnë përshkallëzimin e tensioneve në rajon duhet të ndalen menjëherë”, tha ministria në përgjigje të një pyetjeje lidhur me sulmet e fundit izraelite në provincat siriane Deraa dhe Quneitra.
Zëdhënësi i ministrisë turke i bëri thirrje Forcës Vëzhguese të OKB-së për Shkëputjen (UNDOF), mandati i së cilës u zgjat me gjashtë muaj duke filluar nga 29 qershori, që të përmbushë detyrat e saj dhe të ndërmarrë masat e nevojshme ndaj asaj që ai e përshkroi si sulme izraelite që shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Ai theksoi rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme dhe të matur në negociatat në vazhdim mes ShBA-së dhe Iranit për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.
Tërmetet në Venezuelë
Më tej, Akturk tha se forcat turke vazhdojnë t'i mbështesin përpjekjet humanitare brenda dhe jashtë vendit në koordinim të plotë me ministritë dhe institucionet përkatëse.
Pas tërmeteve të javës së kaluar në Venezuelë, njoftoi Akturk, ekipet e kërkim-shpëtimit të Brigadës Humanitare të Forcave të Armatosura Turke dhe personeli i agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive AFAD kanë vazhduar operacionet në vend që nga mbërritja e tyre më 27 qershor me dy avionë A400M.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për popullin e Venezuelës dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit.























