Federata Turke e Futbollit konfirmoi të premten se Superkupa e Spanjës 2027 do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik “Ataturk” në Istanbul, nga 2 deri më 7 shkurt.
Barcelona, Real Madrid, Real Sociedad dhe Atletico Madrid do të garojnë në turneun me katër ekipe.
Barcelona do të përballet me Atletico Madridin në njërën gjysmëfinale, ndërsa Real Madrid do të luajë kundër Real Sociedadit në gjysmëfinalen tjetër.
“Klubet kryesore të futbollit spanjoll- Barcelona, Real Madrid, Real Sociedad dhe Atletico Madrid do të përballen në Istanbul nga 2 deri më 7 shkurt 2027, në kuadër të Superkupës së Spanjës 2027”, tha federata.
Federata theksoi përvojën e Türkiyes në organizimin e ngjarjeve të mëdha të UEFA-s, përfshirë finalet e Ligës së Kampionëve, finalen e Kupës UEFA të vitit 2009 dhe Superkupën e UEFA-s të vitit 2019.
Türkiye do të presë gjithashtu finalen e Ligës së Konferencës së UEFA-s në vitin 2027.
“Besojmë se kjo ngjarje e veçantë, gjatë së cilës do të kemi kënaqësinë të presim katër klube të mëdha spanjolle në Stamboll, do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes futbollit turk dhe atij spanjoll dhe në konsolidimin e pozitës së Türkiyes në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare”, shtoi federata.
Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit e njoftoi për herë të parë vendimin të enjten, duke thënë se turneu do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik “Ataturk”.
Federata spanjolle tha se Superkupa e Spanjës transmetohet në më shumë se 150 vende dhe theksoi se Barcelona fitoi edicionin e vitit 2026.
Istanbul do të zëvendësojë Arabinë Saudite si vend pritës në vitin 2027, pasi ky vend është planifikuar të organizojë Kupën e Azisë të Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC) nga 7 janari deri më 5 shkurt.
Superkupa e Spanjës pritet të rikthehet në Arabinë Saudite në vitin 2028.























