| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Presidenti i Ukrainës, Zelenskyy, u prit solemnisht në Beograd
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq priti liderin ukrainas me intonimin e himneve të dy vendeve dhe gardën e nderit.
Presidenti i Ukrainës, Zelenskyy, u prit solemnisht në Beograd
Presidenti i Ukrainës, Zelenskyy, u prit solemnisht në Beograd

Me intonimin e himneve të dy vendeve dhe formacionin e gardës së nderit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të shtunën në Beograd presidentin ukrainas Volodimir Zelenskyy.

Ceremonia e pritjes solemne të presidentit ukrainas, i cili mbërriti të premten në Beograd, ku mori pjesë në një darkë zyrtare me Vuçiqin, u organizua përpara Pallatit "Serbia" në kryeqytet, pas së cilës të dy presidentët zhvilluan një takim ballë për ballë.

Të premten, Vuçiq i uroi mirëseardhjen Zelenskyyzt, i cili ndodhet për herë të parë në vizitë zyrtare në Serbi, duke shprehur bindjen se kjo vizitë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Ukrainës, si dhe të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

"Do të diskutojmë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike mes vendeve tona, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, fusha të tjera që mund të jenë të dobishme për popujt tanë, si dhe çështje sigurie. Ukraina është gjithmonë e gatshme të punojë në mënyrë konstruktive, për përfitim reciprok dhe mbi bazën e respektit të ndërsjellë", shkroi Zelenskyy në rrjetin social X.

Sipas njoftimit të Shërbimit për Marrëdhënie me Publikun të presidentit të Serbisë, të shtunën rreth mesditës pritet të nënshkruhet një Memorandum Mirëkuptimi mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave të Serbisë dhe Shërbimit Shtetëror të Ukrainës për Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve, për bashkëpunim në fushën e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore, në prani të dy liderëve, pas së cilës priten deklarata.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë