Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar edhe lokacionin e tretë me mbetje mortore të cilat dyshohet se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Në një komunikatë të përbashkët nga Prokuroria dhe Policia bëhet e ditur se në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin e krimeve të luftës në Zubin Potok, gjatë vazhdimit të veprimeve në terren "është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar".
"Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjes së të gjitha rrethanave", thuhet në njoftim.
Tutje, Prokuroria dhe Policia kanë deklaruar se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional.
Deri më tani autoritetet shtetërore kanë konfirmuar në tre lokacione në afërsi të Zubin Potokut mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se gërmimet në këtë zonë mund të zgjasin edhe me muaj, për shkak të shpërndarjes së eshtrave njerëzore.
Dy lokacionet tjera ku po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e të zhdukurve të luftës janë fshatrat Kalludër dhe Jabukë.





















