| Albanian
RAJONI
5 minuta leximi
Protesta e 12-të qytetare në Tiranë për Zvërnecin
Mijëra protestues, kryesisht të rinj, janë mbledhur në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Protesta e 12-të qytetare në Tiranë për Zvërnecin
Protesta e 12-të qytetare në Tiranë për Zvërnecin / AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, dhe sipas protestuesve kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 12-të.

Mijëra protestues, kryesisht të rinj, janë mbledhur në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.

Në ditët e fundit në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama.

"Nuk është demokraci në këtë mënyrë"

Për Anadolu, disa nga protestuesit janë shprehur se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe protestojnë, sipas tyre, kundër "qeverisë korruptive".

Fadel Dia, 26-vjeç, është një nga protestuesit që thekson se kërkon ndryshimin e sistemet në administratën e vendit.

"Unë dua që Edi Rama të japë dorëheqjen, dua që të zhbëhen komplet ato sistemet e patronazhimit që ka ndërtuar ai, edhe sistemet në administratë që detyrojnë njerëzit të marrin dhe fëmijët edhe të afërmit e tyre që të votojnë për Ramën, sepse ndryshe hiqen nga puna, që nuk tolerohet. Nuk është një shtet i lirë dhe nuk është demokraci në këtë mënyrë", tha Dia.

Duke folur mbi çështjen e Zvërnecit, ai tha: "Unë jam shumë pro investimeve të huaja, por duhet të bëhen në një mënyrë që populli shqiptar të përfitojë. Në këtë projekt nuk ka asnjë lloj detyrimi për investitorët që të punësojnë shtetas shqiptarë. Marrin indianë siç bëjnë shumë biznese të tjera dhe në këtë mënyrë nuk përfiton asnjë shqiptar, do të kenë dhe shumë përfitime të tjera".

"Kam dalë këtu kundër qeverisë korruptive që kemi në Shqipëri"

Arvina Lleshi, 27-vjeçe, studente dhe aktiviste, shprehet se ka marrë pjesë në protestë çdo ditë.

"Kjo është dita e 12-të e imja e protestës dhe kam dalë këtu kundër qeverisë korruptive që kemi në Shqipëri. Kam dalë këtu për të mbështetur të gjithë studentët dhe të rinjtë të cilët janë kundër kësaj qeverie dhe kam dalë këtu për ta ndryshuar Shqipërinë dhe për të ndryshuar të gjitha problemet që Shqipëria ka. Jam kundër qeverisë, jam kundër politikave të kësaj qeverie dhe dua që këto gjëra të ndryshojnë. Nuk më pëlqen fare qeverisja, nuk mendoj që u ka dhënë mundësi të rinjve dhe studentëve për të jetuar një jetë të denjë në Shqipëri dhe patjetër jam kundër", tha ajo.

Lleshi theksoi se si fillim ajo dëshiron të ndryshojë qeverinë, duke shtuar se nuk e do më qeverinë aktuale. "Do doja që të vinte një qeveri tjetër e cila i mbështet studentët, mbështet të rinjtë dhe që ka (ofron) mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë shqiptarë", u shpreh ajo.

Protestuesi: Do të ngrihem gjithmonë kundër qeverisë Rama

Bilbil Hoxha, 31-vjeç, është një tjetër protestues, i cili thekson se kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe daljen e tij para drejtësisë.

"Kam ardhur për çdo gjë që është kundër shkatërrimit të Shqipërisë, për çdo gjë që është kundër qeverisë Rama, në dëm të Shqipërisë, çfarëdolloj interesi që e dëmton Shqipërinë. Nëse do të vazhdojë kështu (situata), do të ngrihem gjithmonë kundër qeverisë Rama”, tha ai.

Duke theksuar se kërkon të ndryshojë çdo gjë, sipas tij nga sistemi, qeveria dhe korrupsioni, Hoxha tha: "(Ndryshim për) Çdo gjë që është në dëm të Shqipërisë, që të kemi një të ardhme, të kemi një sistem të sigurt që të funksionojë, një administratë që të punojë për qytetarët e Shqipërisë, të minimizohen të gjitha ankesat".

Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta janë zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.

Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë