Türkiye siguroi kthimin e 100 artefakteve kulturore nga ShBA-ja, të cilat u prezantuan zyrtarisht në Muzeun Arkeologjik të Istanbulit, në një aktivitet ku morën pjesë ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy dhe ndihmësprokurori i qarkut të Manhatanit, Matthew Bogdanosm.
Në këtë aktivitet u hap edhe ekspozita "No Escape: Bourbon", e cila nxjerr në pah përpjekjet e Türkiyes për ta luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore.
Koleksioni i kthyer përfshin 40 artefakte nga Horoztepe, në provincën Tokat, që datojnë nga viti 2300 deri në vitin 2000 para erës sonë, 44 panele arkitekturore prej terrakote nga Duveri, në provincën Burdur, që datojnë nga viti 700 deri në vitin 480 para erës sonë, një portret nga qyteti antik i Afrodizias, si dhe objekte të tjera me vlerë, përfshirë maska teatrale dhe statueta të perëndeshave.
Ersoy theksoi rëndësinë e kërkimeve shkencore, dokumenteve arkivore dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për gjurmimin e artefakteve dhe sigurimin e kthimit të tyre. Ai vlerësoi studiuesit, gazetarët dhe banorët vendas për ndihmën në përcaktimin e origjinës së objekteve.
Një nga pikat kryesore të ekspozitës janë statujat prej bronzi nga qyteti antik i Boubonit, në provincën Burdur. Të gërmuara ilegalisht në vitet 1960, statujat u çmontuan dhe u shpërndanë në koleksione në vende të ndryshme. Kërkimet e udhëhequra nga profesoresha Jale Inan, të mbështetura nga analizat arkeologjike dhe shkencore, ndihmuan në përcaktimin e origjinës së tyre dhe lehtësimin e riatdhesimit.
Ersoy konfirmoi se gërmimet në Bourbon, të cilat rifilluan në vitin 2023, vijojnë ende. Ndërkohë, Bogdanos njoftoi se Njësia për Luftën kundër Trafikimit të Antikiteteve në Nju Jork ka rikuperuar 6.452 objekte antike të grabitura, përfshirë 276 objekte me origjinë nga Türkiye.
Ai theksoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe më shumë përgjegjësi nga muzetë, shtëpitë e ankandeve, galeritë dhe koleksionistët privatë për verifikimin e origjinës së artefakteve. Të dy zyrtarët theksuan se kthimi i antikiteteve të vjedhura është thelbësor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të përbashkët të njerëzimit.























