Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa deklaroi të hënën në Sarajevë se Bosnjë dhe Hercegovina është “vetëm disa hapa” larg fazës së ardhshme në procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), duke u bërë thirrje autoriteteve të zbatojnë urgjentisht reformat kyç.
Duke folur pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës në fillim të turneut të tij ballkanik, Costa theksoi se vizita konfirmon përkushtimin e BE-së ndaj politikës së zgjerimit.
“Bosnja e Hercegovina duhet të vendosë nëse do të bëjë atë që është e nevojshme për të ndarë të njëjtën të ardhme në BE”, tha Costa.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të miratojnë reformat e mbetura të sistemit të drejtësisë, të emërojnë negociatorin kryesor dhe të fillojnë zbatimin e agjendës së reformave, gjë që do të mundësonte qasje në fondet nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje.
Ai paralajmëroi se moszbatimi i reformave mund të ketë pasoja financiare.
“Bosnja e Hercegovina tashmë ka humbur 108 milionë euro, ndërsa 373 milionë të tjera janë në rrezik në muajt e ardhshëm”, tha ai.
Costa kujtoi mbështetjen e BE-së përmes projekteve, misionit EUFOR Althea dhe Instrumentit Evropian të Paqes, duke theksuar se integrimi në tregun e përbashkët mund të sjellë përfitime edhe para anëtarësimit të plotë.
Duke folur për emërimin e një përfaqësuesi të ri të lartë, ai tha se është e rëndësishme që ky funksion të pasqyrojë përkushtimin e vendit ndaj rrugës evropiane.
Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, përsëriti se anëtarësimi në BE dhe NATO janë objektiva strategjike të vendit, duke vlerësuar se ka bllokime të vazhdueshme në këtë proces.
Anëtarja e Presidencës Zhelka Cvijanoviq deklaroi se fokusi i bisedimeve ishte ekskluzivisht në rrugën evropiane, duke theksuar se entiteti Republika Sërpska mbështet përfundimin e mandatit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.
Costa do të vizitojë gjatë turneut rajonal edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Tivat.























