| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Samiti i NATO-s në Ankara përfundoi me sukses, Erdoğan falënderoi pjesëmarrësit
“E përmbyllëm me sukses Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, të cilin e organizuam në Ankara, Türkiye”, tha Erdoğan në një postim në platformën sociale amerikane X.
Samiti i NATO-s në Ankara përfundoi me sukses, Erdoğan falënderoi pjesëmarrësit
Samiti i NATO-s në Ankara përfundoi me sukses, Erdoğan falënderoi pjesëmarrësit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha të enjten se Samiti i 36-të i NATO-s, i organizuar nga Türkiye në Ankara, u përmbyll me sukses, duke falënderuar pjesëmarrësit, organizatorët dhe banorët e kryeqytetit për kontributin e tyre në suksesin e aktivitetit.

“E përmbyllëm me sukses Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, të cilin e organizuam në Ankara, Türkiye”, tha Erdoğan në një postim në platformën sociale amerikane X.

Erdoğan tha se samiti, i zhvilluar në Kompleksin Presidencial, mblodhi krerët e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të NATO-s, rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe mysafirë.

Ai tha se autoritetet ruajtën “një ekuilibër delikat” mes garantimit të nivelit më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve gjatë gjithë samitit.

Sipas Erdoğanit, masat e sigurisë, transportit, koordinimit dhe rendit publik u planifikuan me kujdes për të garantuar mbrojtjen e liderëve, për të ruajtur jetën e përditshme në qytet dhe për të siguruar që komuniteti ndërkombëtar të merrte informacion të saktë, duke minimizuar shqetësimet për banorët.

Presidenti tha se Biblioteka Kombëtare Presidenciale shërbeu si qendër mediatike ndërkombëtare, duke ofruar hapësirë pune për 1.800 persona, 40 dhoma montazhi dhe shumë pika transmetimi të drejtpërdrejtë.

Më shumë se 2.500 gazetarë mbuluan samitin, duke shënuar pjesëmarrje rekord të mediave, tha ai. Nën koordinimin e transmetuesit publik TRT, aktiviteti u transmetua në mbarë botën përmes 96 kamerave, 18 automjeteve të transmetimit të jashtëm dhe transmetimeve të drejtpërdrejta nga 26 lokacione.

Erdoğan tha se samiti gjithashtu dha “një kontribut të rëndësishëm” në promovimin ndërkombëtar të Ankarasë.

“U shpreh falënderimet e mia të sinqerta bashkëqytetarëve të mi të Ankarasë për tolerancën dhe mikpritjen e tyre të veçantë që treguan gjatë gjithë samitit, i cili gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kryeqytetit tonë”, tha ai.

Ai falënderoi gjithashtu të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e aktivitetit, përfshirë forcat e rendit, punonjësit e mediave, ekipet teknike, stafin shëndetësor, punonjësit e transportit, zyrtarët e protokollit dhe shërbimet e furnizimit me ushqim.

“Në emër të vetes dhe të kombit tim, shpreh mirënjohjen time për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia që punuan me përkushtim për të siguruar zhvillimin pa probleme të samitit”, tha Erdoğan.

Presidenti turk falënderoi gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për “qasjen e tij të orientuar drejt bashkëpunimit dhe përpjekjet në përgatitjen dhe organizimin e Samitit të NATO-s në Ankara”.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë