| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
BE-ja: Qytetet mund të ndërhyjnë për qiratë për ta përballuar krizën e strehimit
Mungesa e banesave të përballueshme është bërë një nga shqetësimet më urgjente për evropianët, ndërsa më shumë se gjysma e banorëve të qyteteve e konsiderojnë strehimin një problem të menjëhershëm dhe urgjent në zonën e tyre.
BE-ja: Qytetet mund të ndërhyjnë për qiratë për ta përballuar krizën e strehimit
BE-ja: Qytetet mund të ndërhyjnë për qiratë për ta përballuar krizën e strehimit/ AA

Komisioni Evropian ka propozuar “Aktin për Strehim të Përballueshëm”, që synon t’u ofrojë autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale siguri më të madhe juridike gjatë marrjes së masave për ta përmirësuar përballueshmërinë dhe disponueshmërinë e banesave në zonat që përballen me presion të madh për strehim.

Sipas sondazhit të kryer së fundmi nga Eurobarometer, mungesa e banesave të përballueshme është bërë një nga shqetësimet më urgjente për evropianët, ndërsa më shumë se gjysma e banorëve të qyteteve e konsiderojnë strehimin një problem të menjëhershëm dhe urgjent në zonën e tyre.

Legjislacioni i propozuar synon të krijojë një kornizë të përbashkët të BE-së për vlerësimin e masave që lidhen me strehimin dhe që mund të ndikojnë në tregun e vetëm të bllokut, ndërsa vendimet për politikat e strehimit do të mbeten në duart e autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale.

Sipas rregullave të propozuara, autoritetet do të mund t’i identifikojnë “zonat nën presion për strehim” duke përdorur një metodologji të përbashkët.

Në rastet kur autoritetet vendosin të kufizojnë përdorime të caktuara të pronave të banimit, përfshirë qiratë afatshkurtra ose mbajtjen e pronave të pabanuara për periudha të gjata, ato do të duhet të dëshmojnë se masa të tilla adresojnë presionet lokale mbi strehimin dhe se janë të synuara, të nevojshme dhe proporcionale.

Autoritetet që synojnë të vendosin kufizime do të duhet të dëshmojnë se aktiviteti i qiradhënies afatshkurtër ka dëmtuar ndjeshëm përballueshmërinë ose disponueshmërinë e banesave për të paktën tre vjet.

Kufizime të tilla do të duhet të synojnë aktivitetet që zvogëlojnë fondin e banesave në dispozicion për banorët afatgjatë, veçanërisht kur shkalla, shpeshtësia ose natyra komerciale e qirave afatshkurtra kontribuon në presionin mbi strehimin.

Korniza e propozuar gjithashtu do të përfshijë masa që lidhen me banesat e dyta dhe pronat që mbeten të pabanuara për periudha të gjata.

Autoritetet që e trajtojnë çështjen e pronave të pabanuara për një kohë të gjatë do të duhet gjithashtu të marrin parasysh periudhat e arsyetuara gjatë të cilave pronat nuk janë të banuara.

Krahas propozimit legjislativ, blloku publikoi një rekomandim që inkurajon autoritetet ta rrisin ofertën e banesave në zonat që përballen me presionin më të madh.

Rekomandimi bën thirrje për procedura më të shpejta të planifikimit dhe dhënies së lejeve për ndërtime të reja, rinovimin dhe ripërdorimin e ndërtesave ekzistuese, si dhe për masa që i lehtësojnë investimet.

Propozimi legjislativ tani do të shqyrtohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian.