| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Toshkovski-Daçiq nisin fushatë në kufirin Maqedoni e Veriut-Serbi kundër aksidenteve rrugore
Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rreziqet e lodhjes në timon, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve në Korridorin 10.
Toshkovski-Daçiq nisin fushatë në kufirin Maqedoni e Veriut-Serbi kundër aksidenteve rrugore
Toshkovski-Daçiq nisin fushatë në kufirin Maqedoni e Veriut-Serbi kundër aksidenteve rrugore

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, së bashku me përfaqësues të institucioneve të sigurisë rrugore nga Maqedonia e Veriut dhe me homologun serb, Ivica Daçiq, dhe përfaqësues nga Serbia, kanë nisur në pikën kufitare Tabanoc aksionin e përbashkët preventiv “Vozit i pushuar”.

Siç thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, fushata synon ta rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rreziqet e lodhjes në timon, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve në Korridorin 10.

Toshkovski ka theksuar se lodhja dhe shpejtësia janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve dhe u ka bërë thirrje shoferëve të bëjnë pushime të rregullta gjatë udhëtimeve të gjata dhe t'i respektojnë rregullat e qarkullimit.

Ai gjithashtu ka njoftuar se sistemi “Qytet i sigurt” është funksional dhe do të regjistrojë çdo shkelje të trafikut, përfshirë edhe automjetet me targa të huaja, të cilave së shpejti do t’u dërgohen gjobat.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka vlerësuar iniciativën si shembull të bashkëpunimit rajonal dhe ka theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së çdo qytetari, sidomos në periudhat me trafik të shtuar.

Në kuadër të fushatës, shoferëve në Tabanoc u janë shpërndarë ujë, fletëpalosje dhe materiale edukative me këshilla për vozitje të sigurt dhe parandalim të aksidenteve të shkaktuara nga lodhja.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë