Numri i të vdekurve nga dy tërmetet në Venezuelë është rritur në 3.535, me afro 17.000 persona të plagosur dhe rreth 6.500 të shpëtuar që nga katastrofa e 24 qershorit, tha të hënën një zyrtar.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, tha në Telegram se 17.854 persona kanë mbetur pa strehim, përveç afro 18.000 personave të zhvendosur nga katastrofa.
Tërmetet e njëpasnjëshme me magnitudë 7,2 dhe 7,5 shkaktuan shkatërrime të mëdha, duke dëmtuar më shumë se 850 ndërtesa dhe duke penguar rëndë operacionet në aeroportin kryesor ndërkombëtar të vendit.
Autoritetet thanë se 190 ndërtesa u shembën, ndërsa një vlerësim i mbështetur nga opozita thotë se më shumë se 30.000 persona ende rezultojnë të zhdukur.
Gjatë një inspektimi në aeroportin e dëmtuar Maiquetia të hënën, presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodriguez, tha se kishte urdhëruar përpjekje për të rikthyer fluturimet komerciale përmes një piste paralele “sa më shpejt të jetë e mundur dhe sipas një orari operacional të rifillimit”.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për viktimat në zonat më të goditura, përfshirë shtetin La Guaira, ku banorët kanë kritikuar vonesat në përpjekjet e shpëtimit dhe mungesat e karburantit që kanë ngadalësuar operacionet e rimëkëmbjes.
Gjatë aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë të dielën, Rodriguez përsëriti thirrjen e saj që ShBA-ja të heqë sanksionet, duke thënë se Venezuela ka nevojë për qasje më të madhe në financime ndërkombëtare për të përshpejtuar rindërtimin.























