| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Zyra amerikane e Buxhetit: Lufta në Iran i ka kushtuar ShBA-së 38 miliardë dollarë
CBO-ja vlerëson se operacioni “Furia Epike” i ka kushtuar Pentagonit 38,1 miliardë dollarë që nga shkurti, ndërsa muajt e ardhshëm mund të kushtojnë nga 2 deri në 3 miliardë dollarë, në varësi të intensitetit.
Zyra amerikane e Buxhetit: Lufta në Iran i ka kushtuar ShBA-së 38 miliardë dollarë
Zyra amerikane e Buxhetit: Lufta në Iran i ka kushtuar ShBA-së 38 miliardë dollarë

Zyra e Kongresit për Buxhetin (CBO) e ShBA-së vlerësoi të martën se lufta e Amerikës kundër Iranit i ka kushtuar Departamentit të Mbrojtjes rreth 38,1 miliardë dollarë deri më 1 gusht, ndërsa muajt e mëtejshëm të konfliktit pritet të shtojnë nga 2 deri në 3 miliardë dollarë secili, në varësi të intensitetit të luftimeve.

Në një letër drejtuar anëtarit të rangut më të lartë të Komitetit të Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve, Brendan Boyle, drejtori i CBO-së, Phillip Swagel, ka thënë se shifra përfshin zëvendësimin e municioneve të përdorura dhe pajisjeve të humbura, rritjen e orëve të fluturimit, kostot e karburantit dhe operacione të tjera të lidhura me operacionin “Furia Epike”, i cili nisi më 28 shkurt me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Sipas letrës, zëvendësimi i municioneve përbënte pjesën më të madhe të kostove, me 21,7 miliardë dollarë, përfshirë 13,1 miliardë dollarë për interceptuesit e mbrojtjes raketore. Nëse luftimet do të mbeteshin në nivelet e ulëta të muajve maj dhe qershor, një muaj shtesë do të kushtonte 2 miliardë dollarë, ndërsa kjo shifër do të rritej në 3 miliardë dollarë nëse intensiteti do të ishte i njëjtë me atë të korrikut.

Konflikti ka rritur çmimet globale të naftës dhe karburanteve për shkak të ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit, duke kontribuuar në rritjen e parashikimeve për inflacionin dhe normat e interesit deri në vitin 2027.

Vlerësimi i CBO-së është rreth 10 për qind më i ulët se kërkesa e administratës për financim shtesë prej 42,3 miliardë dollarësh për kostot e lidhura drejtpërdrejt me konfliktin dhe më i ulët se vlerësimi prej 37,5 miliardë dollarësh i sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth deri në shtator, thuhet në letër, duke iu referuar metodave të ndryshme të llogaritjes dhe mungesës së të dhënave të plota nga Pentagoni.

ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shënjestruar ndërtesa qeveritare, objekte ushtarake, infrastrukturën raketore dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në gjithë rajonin.

Që atëherë, lufta është zgjeruar në rajon, ndërsa përpjekjet diplomatike kanë synuar t’u japin fund luftimeve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë