| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Studentët protestuan në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe
Studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, i cili deklaroi se nuk do të lejojë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
Studentët protestuan në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe
Studentët protestuan në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe / TRT Balkan
8 orë më parë

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt një protestë nga studentët të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. 

Protesta filloi nga sheshi "Filipi II", ku studentët me pankarta të ndryshme kërkuan, siç thanë, "drejtësi".

"Ligji në letër, diskriminimi në praktikë", "Mos mohoni një të drejtë të fituar", "Respekto ligjin për gjuhët", "Stop diskriminimit institucional", ishin disa nga pankartat që mbanin studentët.

Protesta më pas vazhdoi me marsh përmes Urës së Gurit, deri para Ministrisë së Drejtësisë.

Studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, i cili deklaroi se nuk do të lejojë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.

"Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektoni Kushtetutën dhe ligjin, as më shumë, as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çdo zvarritje është përpjekje për ta na mohuar një të drejtë që na është mohuar prej shumë vitesh", tha studenti Besar Sejdiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit "Nënë Tereza".

Qeveria formoi grup ekspertësh kushtetues që punojnë për zgjidhje

Kryeministri Hristijan Mickoski më herët deklaroi se si qeveri kanë formuar një grup ekspertësh kushtetues që po punojnë për një zgjidhje që do të jetë edhe kushtetuese, por edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ministria e Drejtësisë deklaroi se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe, pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në vitin 2018 dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, në këtë rast gjuha shqipe.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë