| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Kryeministri armen mbështet lidhje më të forta energjetike me Türkiyen dhe Azerbajxhanin
Pashinyan bëri thirrje për zgjerimin e lidhjes energjetike me Türkiyen dhe Azerbajxhanin fqinj, duke thënë se integrimi më i thellë rajonal mund të forcojë sigurinë energjetike dhe të mbështesë tranzicionin e gjelbër.
Kryeministri armen mbështet lidhje më të forta energjetike me Türkiyen dhe Azerbajxhanin
Kryeministri armen mbështet lidhje më të forta energjetike me Türkiyen dhe Azerbajxhanin

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, bëri thirrje sot për zgjerimin e lidhjes energjetike me Türkiyen dhe Azerbajxhanin fqinj, duke thënë se integrimi më i thellë rajonal mund ta forcojë sigurinë energjetike dhe ta mbështesë tranzicionin e gjelbër. 

Duke folur së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën për mediat në Jerevan, Pashinyan tha se Armenia dëshiron të marrë pjesë në projektin e kabllove elektrike nëndetare të Detit të Zi dhe të thellojë bashkëpunimin me BE-në në digjitalizim.

"Unë e konsideroj të rëndësishme zgjerimin e ndërlidhjes energjetike, përfshirë ndërtimin e linjave të transmetimit të energjisë dhe ndërlidhjen me Türkiyen dhe Azerbajxhanin fqinjë, të cilat mund të kontribuojnë si në sigurinë e energjisë ashtu edhe në tranzicionin e gjelbër", tha ai.

Von der Leyen mbërriti sot në Armeni si pjesë e një turneu rajonal që përfshinte një vizitë në Azerbajxhan, ku ajo zhvilloi bisedime me presidentin Ilham Aliyev.

Pashinyan e përshkroi BE-në si "një nga partnerët më të besueshëm të Armenisë" dhe tha se të dyja palët kanë diskutuar mënyrat për të ndihmuar në diversifikimin e ekonomisë, tregtisë dhe eksporteve të Armenisë.

Ai falënderoi BE-në për ofrimin e 52 milionë eurove në mbështetje buxhetore dhe shprehu shpresën se Brukseli do të vazhdojë të ndihmojë përpjekjet e Armenisë për t'i diversifikuar tregjet e saj tregtare dhe eksportuese.

Kryeministri armen përjashtoi çdo ndryshim të menjëhershëm në përpjekjet e vendit për të thelluar lidhjet me BE-në, duke iu referuar vendimit të Armenisë në vitin 2013 për t'i braktisur planet për të nënshkruar një Marrëveshje Asociimi me BE-në dhe në vend të kësaj t'i bashkohet Bashkimit Ekonomik Euroaziatik.

"Po, e përjashtoj. Është e pamundur", tha Pashinyan kur u pyet nëse një ndryshim i ngjashëm i politikës mund të ndodhë përsëri. Pashinyan tha se shpreson që Armenia do të sigurojë udhëtimin pa viza me BE-në deri në vitin 2029.

"Shumë varet nga ne dhe në shumë raste ne duhet t'i bëjmë vetes këto pyetje, jo BE-së", tha ai.

Duke komentuar bisedën e tij telefonike në fillim të kësaj jave me kryeministrin rus Mikhail Mishustin, Pashinyan tha se telefonata ishte bërë me iniciativën e tij dhe se të dy zyrtarët kishin rënë dakord të zhvillonin diskutime më të detajuara mbi çështjet dypalëshe në të ardhmen e afërt.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë