Emrat dhe të dhënat e kontaktit të rreth 100.000 oficerëve të policisë në Mbretërinë e Bashkuar janë shfaqur në dark web, pasi kriminelët kibernetikë depërtuan në një bazë të dhënash kyçe të organeve të zbatimit të ligjit, duke i ekspozuar oficerët ndaj rreziqeve të mundshme të sigurisë, sipas gazetës The Times.
Zbulimi i raportuar të dielën, vjen nën vazhdën e një fushate më të gjerë kibernetike që ka komprometuar gjithashtu të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) dhe Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS), sipas gazetës në fjalë.
Kjo shkelje e fundit vjen vetëm disa ditë pasi hakerët synuan Departamentin e Arsimit (DfE), duke ekspozuar mbi 500.000 regjistrime.
Baza e të dhënave të policisë e komprometuar
Hakerat vodhën emrat, të dhënat e kontaktit dhe përkatësinë e oficerëve, pasi depërtuan në Bazën e të Dhënave Ligjore Kombëtare të Policisë (PNLD), një burim ligjor online i përdorur nga forcat policore në Angli dhe Uells.
Autoritetet besojnë se grupi kriminal kibernetik ExfilSquad qëndron pas sulmit, pjesë e një serie shkeljesh të fundit që synojnë institucionet perëndimore.
"Kam punuar në krimin e organizuar të rëndë dhe kam futur pas hekurave kriminelë të nivelit të lartë. Rrjedhja e informacionit tim privat është shumë shqetësuese dhe i vë oficerët në rrezik serioz" tha për The Times një punonjës i prekur nga sulmi në fjalë.
"Në të kaluarën, jam detyruar të kaloj në shtëpi të sigurta dhe të shes makina për shkak të punës sime. Tani do të duhet të jem i kujdesshëm online dhe të kem kujdes nga kushdo që përpiqet të marrë informacione më serioze".
Shkelja në DfE përfundoi me publikimin e 607.000 regjistrimeve në dark web dhe besohet se ka qenë e motivuar financiarisht dhe jo ideologjikisht.
Në një mesazh online, ExfilSquad i paralajmëroi viktimat se, pasi të dhënat e tyre të publikoheshin, ato do të mbeteshin të disponueshme publikisht përgjithmonë, duke i nxitur organizatat të paguajnë për të shmangur pasoja të mëtejshme.
PNLD-ja përdoret gjerësisht nga oficerët e policisë për udhëzime ligjore gjatë punës së rregullt policore. Anglia dhe Uellsi punësojnë rreth 145.550 oficerë policie me kohë të plotë, shumica e të cilëve besohet se e kanë përdorur sistemin në një moment të karrierës së tyre.


















