Shqipëria ka përgëzuar Listën Studentore për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Serbi, si dhe qytetarët për pjesëmarrjen e gjerë në procesin demokratik.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social amerikan X, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) theksoi rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik.
“Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve”, thuhet në deklaratë.
Ministria shqiptare përgëzoi gjithashtu Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e arritur në zgjedhje. Sipas projeksioneve paraprake të përmendura në deklaratë, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
MEPJ-ja theksoi se përfaqësimi i shqiptarëve duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të tyre, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime.
Duke iu referuar zhvillimeve politike në Serbi, ministria theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet një përgjegjësi thelbësore.
Në deklaratë gjithashtu theksohet se Shqipëria pret angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkret drejt vendosjes së marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore.
Sipas MEPJ-së, ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.
Në përfundim, Shqipëria shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet që do të dalin nga procesi zgjedhor në Serbi, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes evropiane.
Bazuar në më shumë se 96 për qind të qendrave të votimit të përpunuara, shifrat paraprake të publikuara nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë treguan se lista e mbështetur nga studentët fitoi 52,54 për qind të votave, krahasuar me 39,29 për qind për listën e Serbisë së Bashkuar të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.























