| Albanian
Opinion
LUFTA NË GAZA
8 minuta leximi
Shkatërrimi i klasave dhe mohimi i të drejtës për t’u arsimuar si fshirje e së ardhmes së Gazës
Nën rrënojat e shkollave dhe universiteteve në enklavën e shkatërruar prehen ëndrrat e mijëra nxënësve dhe studentëve palestinezë.
Shkatërrimi i klasave dhe mohimi i të drejtës për t’u arsimuar si fshirje e së ardhmes së Gazës
Shkatërrimi i klasave dhe mohimi i të drejtës për t’u arsimuar si fshirje e së ardhmes së Gazës / AA

Në vitin 2005, një universitet në Mbretërinë e Bashkuar më ofroi një bursë studimi. Nuk arrita kurrë të shkel në kampusin e tij. Nuk munda dot të largohesha nga Gaza.

Pika kufitare përmes së cilës do të udhëtoja kishte qenë e mbyllur për më shumë se gjashtë muaj, dhe një portë e mbyllur nuk i lexon “letrat e pranimit”. Kur të hapej, vendin tim tashmë do ta kishte zënë dikush tjetër, në një tjetër vit akademik, një student tjetër, një version tjetër i jetës sime.

E kam mbajtur me vete këtë humbje të vogël personale për më shumë se 20 vjet. E përmend sot vetëm sepse ajo është bërë forma më modeste e diçkaje shumë më të madhe: ngushtimi sistematik i së ardhmes së një brezi të tërë.

Shkatërrimi i arsimit në Gaza nuk mund të kuptohet vetëm përmes numrit të ndërtesave të shndërruara në rrënoja.

Tipari më përcaktues i tij është se ka prekur të gjithë sistemin arsimor. Shkollat dhe universitetet janë dëmtuar ose shkatërruar. Nxënës, studentë, mësues dhe profesorë janë vrarë ose janë detyruar të zhvendosen. Bibliotekat, laboratorët, arkivat dhe depo të tjera të dijes janë zhdukur.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara dhe një numër gjithnjë në rritje studimesh akademike e kanë përshkruar këtë fenomen me termin "skolasticid" (scholasticide): shkatërrimin sistematik të arsimit përmes sulmeve ndaj institucioneve, infrastrukturës, studentëve, mësimdhënësve dhe jetës intelektuale.

Ky term shpreh diçka që statistikat nuk mund ta tregojnë. Ajo që po humbet nuk është thjesht një grup ndërtesash të izoluara, por themelet mbi të cilat një shoqëri ruan dijen, përgatit të rinjtë e saj dhe përfytyron të ardhmen.

Shkalla e shkatërrimit është e vështirë të imagjinohet. Deri në korrik të vitit 2025, 97 për qind e shkollave në Gaza patën pësuar dëmtime.

Ekspertët e OKB-së raportuan se të 12 universitetet e Gazës ishin dëmtuar ose shkatërruar. Një vlerësim i mëvonshëm i UNESCO-s tregoi se 95 për qind e kampuseve të arsimit të lartë ishin prekur, ku shumica e ndërtesave ishin shkatërruar ose ishin bërë të papërdorshme.

Mbi 68 milionë tonë mbeturina mbulojnë tashmë Gazën. Qindra mësues, profesorë dhe punonjës të tjerë të arsimit janë vrarë.

Por humbja e një studiuesi nuk mund të matet si humbja e një ndërtese.

Ajo nënkupton zhdukjen e dekadave të tëra dijeje të grumbulluar: ligjëratat që nuk do të mbahen kurrë, kërkimet që nuk do të përfundojnë, studentët që nuk do të udhëhiqen dhe mësuesit, mjekët, inxhinierët e shkrimtarët e së ardhmes që nuk do ta takojnë kurrë atë person në një klasë.

Themelet e zakonshme të një klase

Për fëmijët e Gazës, arsimi sot mbijeton kryesisht falë improvizimit. Qindra hapësira të përkohshme mësimore janë ngritur në çadra, strehimore dhe ndërtesa të dëmtuara.

Fjala "e përkohshme" është kthyer në një gënjeshtër. Për shumë fëmijë, këto hapësira nuk janë një urë drejt rikthimit në shkollë. Ato janë e vetmja shkollë që njohin.

Përfytyrojeni mirë: fëmijë të ulur në tokë, pa banka dhe pa karrige; një mësues që jep mësim nën fletë plastike, pa ndriçim të besueshëm, pa energji elektrike dhe pa një tabelë të mirëfilltë.

Çadra është përvëluese gjatë verës dhe e pambrojtur nga shiu e përmbytjet gjatë dimrit. Madje, në disa raste, kanë munguar edhe mjetet më elementare të të mësuarit.

Për më shumë se dy vjet, materialet arsimore nuk u lejuan të hynin në Gaza. Jo armët. Lapsat, fletoret, blloqet e ushtrimeve, lapsat me ngjyra dhe vizoret.

Vetëm në janar të vitit 2026, UNICEF-i njoftoi se mijëra paketa bazë me materiale mësimore dhe rekreative kishin filluar të hynin në Gaza pas më shumë se dy vitesh kufizimesh. Agjencia Reuters raportoi se paketat përmbanin lapsa, por tekstet shkollore ende nuk lejoheshin.

Lexojeni edhe një herë.

Nuk po debatojmë për kurrikulat, metodat e mësimdhënies apo madhësinë e klasave. Kemi arritur në pikën ku diskutohet nëse një fëmijë mund të ketë apo jo një laps.

Një laps nuk duhet të jetë objekt negociatash. As një bankë, një fletë apo një çati.

Këto janë themelet e zakonshme elementare të një klase, gjërat që supozohen të ekzistojnë përpara se të fillojë mësimi.

Në Gaza, ato janë shndërruar në në ëndërr: një fëmijë që ëndërron një fletore, një mësues i detyruar të improvizojë pa mjetet më të thjeshta dhe kushtet normale të të mësuarit të bëra të paarritshme.

Gaza shpesh përshkruhet si një vend nga i cili palestinezët dëshirojnë me çdo kusht të largohen. Por ky përshkrim lë jashtë një të vërtetë thelbësore.

Për shumë palestinezë që njoh, ëndrra nuk është largimi. Ëndrra është të qëndrojnë, të studiojnë, të punojnë, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë një të ardhme në vendin që e quajnë shtëpi, pa qenë të burgosur brenda tij.

Por hapësira ku kjo jetë mund të zhvillohet vazhdon të tkurret.

Në fund të muajit maj, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kontrollonin mbi 60 për qind të Gazës dhe se ishin urdhëruar ta zgjeronin këtë kontroll në 70 për qind.

Pothuajse e gjithë popullsia prej rreth dy milionë banorësh është e kufizuar në një brez të ngushtë bregdetar. Shumica janë zhvendosur dhe shumë prej tyre janë detyruar të zhvendosen disa herë.

Rrugët nga të cilat mund të varet një jetë, për të marrë trajtim mjekësor; për të pranuar një bursë studimi; për t'u ribashkuar me familjen ose për t'i shpëtuar një urdhri tjetër evakuimi, mbeten të kufizuara, të pasigurta ose të mbyllura.

Të jesh i bllokuar nuk do të thotë vetëm të mos lejohesh të largohesh. Do të thotë të shohësh se si kufijtë e jetës së zakonshme ngushtohen rreth teje: hapësira për të jetuar, për të mësuar, për t'u shëruar dhe, një ditë, për të rindërtuar.

Brenda kësaj hapësire që tkurret vazhdimisht, fëmijët ende pritet të mësojnë. Ata mbërrijnë në çadra dhe ndërtesa të dëmtuara pa energji elektrike, pa ujë të sigurt, pa banka dhe pa tekste shkollore.

Disa mbajnë plagë që kërkojnë trajtim të pamundur në Gaza. Disa jetojnë me aftësi të kufizuara. Disa kanë humbur njërin prind, të dy prindërit ose pjestarë të shumtë të familjes së tyre.

Megjithatë, atyre u kërkohet të ulen, të përqendrohen dhe të imagjinojnë një të ardhme, sikur vetë shpresa të mos kishte nevojë për strehë.

Në vitin 2005, një kufi i mbyllur i kushtoi një studenti një mundësi.

Ajo që po ndodh sot nuk është humbja e një mundësie të vetme, por ngushtimi sistematik i së ardhmes së një brezi të tërë.

Arsimi nuk mund të presë

Të rinjtë e Gazës qëndrojnë përballë dyerve të mbyllura: derës së një klase, të një provimi, të një universiteti, të një diplome të njohur dhe, në fund, të një jete profesionale.

Humbja ime ishte një kapitull i ndërprerë. Për ta, ndërprerja është bërë vetë arkitektura e fëmijërisë: vite me radhë gjatë të cilave arsimi shtyhet, zbehet ose bëhet krejtësisht i paarritshëm.

Ka edhe një fjalë tjetër të cilës bota i drejtohet kur flet për Gazën: qëndresa.

Kjo qëndresë është reale. E kam parë gjatë gjithë jetës sime. Por kjo fjalë bëhet e rrezikshme kur i lejon botës së jashtme të admirojë durimin e palestinezëve në vend që të përballet me kushtet që e bëjnë të domosdoshëm një durim të tillë.

Nuk ka asgjë frymëzuese te një fëmijë që mëson shkronjat i ulur në dyshemenë e një çadre. Nuk ka asgjë fisnike në detyrimin e një brezi që të provojë vazhdimisht se ende dëshiron të ketë një të ardhme.

Fëmijët nuk duhet të detyrohen të jenë të qëndrueshëm. Ata duhet të kenë shkolla.

Unë nuk po kërkoj mëshirë. Mëshira nuk ma hapi kufirin në vitin 2005 dhe nuk do t'ua hapë atë sot studentëve të Gazës.

Po kërkoj që arsimi të mos trajtohet më si diçka që mund të presë: deri pas luftës, pas rindërtimit, pasi të jenë përmbushur të gjitha nevojat e tjera që konsiderohen më urgjente.

Ky rend është i gabuar.

Për breza të tërë palestinezësh, arsimi ka qenë më shumë se një rrugë drejt punësimit.

Ai ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin, dinjitetin dhe shpresën nën pushtimin izraelit dhe zhvendosjen e detyruar.

Një laps nuk është diçka që sigurohet vetëm pasi të ketë përfunduar puna "e rëndësishme".

Edhe lapsi është punë serioze.

Fakti që edhe lapsat u mbajtën jashtë Gazës tregon se sa vendimtare është bërë e drejta për të mësuar.

Unë, në fund, munda ta filloja jetën sërish diku tjetër. Shumica e të rinjve në Gaza nuk kanë një mundësi të dytë.

Detyrimi ynë sot është të sigurojmë që arsimi të mbijetojë bashkë me ta: që të kenë mësues nga të cilët të mësojnë, provime që mund t'i japin, diploma që bota do t'i njohë dhe universitete të gatshme për t'i pritur.

Sepse një brezi nuk mund t'i kërkohet të rindërtojë Gazën pasi bota ka lejuar që çdo rrugë drejt së ardhmes së tij të fshihet.

BURIMI:TRT World