Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, mbërriti të hënën në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, me ftesë të presidentit Lee Jae Myung.
Erdoğan dhe Zonja e Parë, Emine Erdoğan, u pritën në bazën ajrore të Seulit, në Seongnam, nga ministri koreanojugor i Tregtisë, Park Jung-sung.
Në ceremoninë e pritjes ishin të pranishëm edhe ambasadori i Türkiyes në Korenë e Jugut, Fatih Yıldız, dhe bashkëshortja e tij, Nesrin Yıldız.
Presidenti Erdoğan shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë Mehmet Fatih Kacır, nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe përgjegjësi për Politikat Shëndetësore Halit Yerebakan, si dhe kreu i Industrisë së Mbrojtjes Haluk Görgün.
Në kuadër të vizitës, e cila do të zgjasë deri më 4 nëntor, Erdoğan pritet të zhvillojë të martën një takim zyrtar me presidentin koreanojugor Lee Jae Myung.
Bisedimet pritet të përqendrohen në të gjitha aspektet e partneritetit strategjik ndërmjet Türkiyes dhe Koresë së Jugut, si dhe në zhvillimet aktuale rajonale dhe globale.
Gjithashtu, të dyja palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje që synojnë forcimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve dypalëshe.























