Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka sinjalizuar "mosbesim" ndaj ShBA-së dhe atë që ai e përshkroi si "sinjale kontradiktore nga zyrtarët amerikanë" mes përpjekjeve për të nisur një raund të dytë bisedimesh për t'i dhënë fund luftës.
"Respektimi i angazhimeve është baza e dialogut kuptimplotë", tha Pezeshkian pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha se një marrëveshje me Iranin do të nënshkruhet "sot" në Islamabad të Pakistanit.
Trump paralajmëroi se nëse nuk nënshkruhej asnjë marrëveshje, ai do të "hedhë në erë çdo termocentral dhe urë në Iran", por deri më tani mbetet e paqartë se për çfarë afati kohor po i referohej.
Megjithatë, Pezeshkian tha: "Mbetet mosbesimi i thellë historik në Iran ndaj sjelljes së qeverisë amerikane, ndërsa sinjalet jokonstruktive dhe kontradiktore nga zyrtarët amerikanë mbartin një mesazh të hidhur".
“Ata (ShBA-ja) kërkojnë dorëzimin e Iranit. Iranianët nuk i nënshtrohen forcës”, shkroi Pezeshkian në rrjetin social amerikan X.
Komentet e presidentit iranian erdhën disa orë pasi shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Asim Munir, realizoi një bisedë telefonike me Trumpin, duke e cilësuar bllokadën amerikane të Ngushticës së Hormuzit si një pengesë në bisedimet me Iranin.
Rruga ujore ka mbetur kryesisht e mbyllur që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt.
Teherani e shpalli ngushticën të hapur të premten, por e mbylli atë përsëri një ditë më vonë pasi Trump tha se bllokada e porteve iraniane do të vazhdojë. Dje, forcat amerikane ndaluan një anije mallrash iraniane pasi hapën zjarr dhe hipën në të.
Dje, Trump gjithashtu tha se përfaqësuesit e ShBA-së do të udhëtojnë për në Islamabad për bisedime me zyrtarët iranianë.
Teherani ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht qëndrimin e tij, por ka kërkuar heqjen e bllokadës amerikane të porteve të tij.
Më herët, burime pakistaneze thanë se zyrtarët iranianë pritet që nesër të mbërrijnë në Islamabad.






















