Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër dhe njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me fitoren e zgjedhjeve të 7 qershorit është konfirmuar se kjo dekadë i takon Lëvizjes Vetëvendosje,
Në fjalën e tij gjatë festës së simpatizantëve të LVV-së në sheshet e Prishtinës, Kurti tha se partia e tij ishte fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar dhe doli përsëri fitues në këto zgjedhje.
“Është konfirmim i radhës që së paku kjo dekadë dhe unë besoj edhe shumë më shumë se kaq është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe me këto zgjedhjet e pesta parlamentare për më pak se shtatë vjet u dëshmua se të gjithë garojnë, shumica votojnë, e ne fitojmë”, theksoi Kurti.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje i bën bashkë mirëqenien dhe qeverisjen e mirë dhe theksoi se Qeveria e Kosovës, edhe pse në detyrë, ka funksionuar mjaft mirë.
Sipas numërimit të 99,40 për qind të votave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me 42,92 për qind të votave ose 297.286 vota. E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,06 për qind ose 145.873 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 17,61 për qind ose 121.956 vota, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi 7,17 për qind apo 49.693 vota, ndërsa Lista Serbe siguroi 6,17 për qind apo 42.761 vota.
Sipas të dhënave të deritanishme, në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 722.902 qytetarë nga gjithsej 1.959.962 votues të regjistruar, që përbën një dalje në votime prej 36,88 për qind, ndërkohë pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025 ishte 44,99 për qind.
Procesi i numërimit vazhdon dhe rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e numërimit të të gjitha kutive të votimit dhe certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.
























