| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Peleshi takon homologun kroat: Nisma Shqipëri–Kroaci–Kosovë e forcon sigurinë rajonale
Dy homologët vlerësuan "nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve shqiptaro-kroate, të mbështetura në partneritetin strategjik, vlerat e përbashkëta euroatlantike dhe vizionin e përbashkët për stabilitetin dhe integrimin evropian".
Peleshi takon homologun kroat: Nisma Shqipëri–Kroaci–Kosovë e forcon sigurinë rajonale
Peleshi takon homologun kroat: Nisma Shqipëri–Kroaci–Kosovë e forcon sigurinë rajonale

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka pritur në një takim në Tiranë kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, me fokus diskutimet në forcimin e mëtejshëm të "marrëdhënieve strategjike" mes dy vendeve. 

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë takimit dy homologët vlerësuan "nivelin shumë të lartë të marrëdhënieve shqiptaro-kroate, të mbështetura në partneritetin strategjik, vlerat e përbashkëta euroatlantike dhe vizionin e përbashkët për stabilitetin, sigurinë dhe integrimin evropian" të Ballkanit Perëndimor.

"Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar Zagrebin një partner të rëndësishëm politik dhe teknik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai ndau me homologun kroat progresin e Shqipërisë në negociatat me BE-në dhe vlerësoi hapjen e të gjithë grupkapitujve si një arritje historike për vendin", thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se kryeparlamentari kroat vlerësoi "avancimin e shpejtë, arritjet, qartësinë dhe vendosmërinë e Shqipërisë si vend pararojë mes vendeve kandidate drejt integrimit evropian".

Ndërkohë, theksohet se Jandrokoviq rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë si edhe nënvizoi gatishmërinë e Parlamentit të Kroacisë për të mbështetur Kuvendin e Shqipërisë në aspektet politike e teknike të anëtarësimit në BE.

"Peleshi dhe Jandrokoviq ritheksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke vlerësuar nismën trilaterale Shqipëri-Kroaci-Kosovë (marrëveshja në fushën e mbrojtjes) si një kontribut konkret për forcimin e sigurisë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve. Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, lidhshmërinë rajonale, projektet infrastrukturore dhe energjetike, si dhe potencialin për bashkëpunim më të madh në sektorin e turizmit. Palët ndanë bindjen se këto fusha përbëjnë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe integrimin e mëtejshëm rajonal", thuhet ndër të tjera në takim.

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Jandrokoviq është takuar edhe me presidentin Bajram Begaj. Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Begaj ka theksuar se diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të “marrëdhënieve miqësore” midis dy vendeve.

“Falënderova Parlamentin Kroat për mbështetjen e tij politike dhe ekspertizën teknike në ndihmën e Shqipërisë për të zbatuar reformat e kërkuara për anëtarësim në BE. E vlerësova Kroacinë si një mik të besuar, të palëkundur në mbështetjen e saj për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe një avokate të fortë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka theksuar Begaj.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë