Qindra izraelitë protestuan të shtunën në dhjetëra zona në veri dhe në qendër të Izraelit kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ndryshimeve që ajo po synon t'i bëjë në sistemin gjyqësor, raportuan mediat izraelite.
Channel 12 raportoi se protesta u zhvilluan në Haifa, Nahariya dhe Galilenë Perëndimore. Demonstrues u mblodhën gjithashtu në disa ura në zonat bregdetare të Maagan Michael dhe Neurim, në Izraelin qendror.
Sipas televizionit, protestuesit brohoritën kundër Netanyahut dhe qeverisë së tij dhe mbanin pankarta ku e fajësonin atë për dështimin në parandalimin e sulmit të 7 tetorit 2023. Ata kundërshtuan gjithashtu ndryshimet në sistemin gjyqësor që po shtyn përpara qeveria.
Që nga fillimi i vitit 2023, qeveria ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh, për të cilat thotë se synojnë ta rikthejnë ekuilibrin mes degëve të pushtetit dhe të kufizojnë atë që e konsideron ndërhyrje të tepruar të gjyqësorit në vendimet e ekzekutivit dhe legjislativit.
Partitë opozitare argumentojnë se këto masa do ta dobësonin pavarësinë e gjyqësorit dhe do ta kufizonin mbikëqyrjen ndaj qeverisë.
Në mars të vitit 2025, Knesseti miratoi një amendament që e ndryshon përbërjen e komisionit për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe procedurën e emërimit të tyre. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi me fillimin e mandatit të Knessetit të ardhshëm.





















