Partitë që kundërshtojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu do të fitonin 67 nga 120 vendet në Knesset, krahasuar me 49 vende për koalicionin e tij qeverisës, sipas një sondazhi të publikuar të hënën, përpara zgjedhjeve të planifikuara për 27 tetor.
Sondazhi i Channel 12 parashikon 54 vende për partitë sioniste që kundërshtojnë Netanyahun dhe 13 për partitë arabe. Një grupim që televizioni e përshkroi si “blloku i tretë” do të siguronte katër vende.
Për formimin e një qeverie nevojitet një shumicë parlamentare prej të paktën 61 vendesh.
Sondazhi u zhvillua më 12 tetor, me një kampion përfaqësues prej 509 personash të moshës 18 vjeç e lart, ndërsa marzhi maksimal i gabimit është 4,4 pikë përqindjeje.
Partia Yashar e Gadi Eisenkotit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, kryesoi sondazhin me 23 vende, e ndjekur nga Likud-i i Netanyahut me 20 vende, një më pak krahasuar me sondazhin e mëparshëm të këtij televizioni.
Partia Beyachad e ish-kryeministrit Naftali Bennett ruajti 13 vende, ndërsa partia Demokratët e Yair Golanit dhe partia Yisrael Beiteinu e Avigdor Liebermanit morën nga nëntë vende secila.
Lista e Përbashkët, e udhëhequr nga Yousef Jabareen, parashikohet të fitojë tetë vende, po aq sa partia ultraortodokse Shas e Aryeh Derit dhe partia Fuqia Hebraike e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir.
Partia Judaizmi i Bashkuar i Torës, e udhëhequr nga Yaakov Asher, mori shtatë vende, ndërsa aleanca Sionizmi Fetar–Zehut, e udhëhequr nga ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe politikani Moshe Feiglin, siguroi gjashtë vende.
Lista e Bashkuar Arabe e Mansour Abbasit mori pesë vende, duke e çuar përfaqësimin e përgjithshëm të listave arabe në 13 vende.
Partia e përbashkët Rezervistët–Ekonomia, e udhëhequr nga Yoaz Hendel dhe Yaron Zelekha, mori katër vende.
Sa i përket përshtatshmërisë për postin e kryeministrit, Eisenkot kryesoi ndaj Netanyahut me 45 për qind kundrejt 35 për qind, duke e zgjeruar epërsinë e tij në 10 pikë përqindjeje, nga tri pikë në sondazhin e mëparshëm.
Edhe Bennett doli përpara Netanyahut, duke marrë mbështetjen e 37 për qind të të anketuarve, krahasuar me 36 për qind për kryeministrin.
Netanyahu kryesoi ndaj Avigdor Liebermanit me 35 për qid kundrejt 27 për qind, megjithëse diferenca u ngushtua në tetë pikë përqindjeje, nga 17 pikë në sondazhin e mëparshëm.
Channel 12 bëri të ditur se rreth 8 për qind e të anketuarve ende nuk kishin vendosur se për kë do të votonin.
Netanyahu drejton qeverinë aktuale që nga fundi i dhjetorit 2022, në krye të një koalicioni që është cilësuar gjerësisht si më i djathti në historinë e Izraelit.






















