Përfaqësues të industrisë spanjolle kanë kërkuar përfshirjen në projektin e ri evropian për avionë luftarakë pas dështimit të programit Future Combat Air System (FCAS), raportoi të enjten e përditshmja El Pais.
Përfaqësues të kompanive Airbus, GMV, Oesia, Indra, ITP Aero dhe Sener përcollën një mesazh uniteti pasi projekti ambicioz evropian FCAS u ndërpre pas një vendimi të kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.
Projekti i anuluar ishte konceptuar për të zhvilluar jo vetëm një avion luftarak të gjeneratës së gjashtë, por edhe një rrjet të integruar të luftës ajrore që do të përfshinte dronë të armatosur dhe të paarmatosur që do të operonin së bashku me avionin luftarak.
Nisma, e konsideruar si një nga programet më të mëdha të mbrojtjes në Evropë, synonte ta forconte autonominë strategjike të kontinentit dhe kapacitetet e ardhshme ushtarake përmes bashkëpunimit mes Francës, Gjermanisë dhe Spanjës.
Përfaqësuesit spanjollë theksuan nevojën për të vazhduar zhvillimin e një sistemi të ardhshëm të luftimit ajror pas dështimit të FCAS. Ata nënshkruan një dokument të përbashkët ku e theksojnë gatishmërinë e industrisë spanjolle për të vijuar zhvillimin e një sistemi luftarak të gjeneratës së ardhshme.
Ndërkohë, Gjermania thuhet se është në fazën përfundimtare të krijimit të një aleance industriale të udhëhequr nga Airbus, ku Spanja zotëron më shumë se 4 për qind të aksioneve, për zhvillimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë përmes një projekti që pritet të jetë më pak kompleks se FCAS.
Qeveria spanjolle ka dhënë gjithashtu një kontratë prej 700 milionë eurosh për kompanitë Airbus dhe Indra për zhvillimin e teknologjive që mund të përdoren në një avion luftarak të ardhshëm të gjeneratës së gjashtë.
“Industria spanjolle po vë në dispozicion kapacitetet dhe burimet e saj për Spanjën dhe partnerët e saj të mundshëm në zhvillimin e një sistemi luftarak të gjeneratës së ardhshme, që përfshin një avion luftarak të gjeneratës së gjashtë, platforma ose mjete pa pilot, sisteme të avancuara komunikimi dhe sensorë të integruar përmes një rrjeti luftarak digjital”, thuhet në deklaratën e përbashkët të kompanive.
















