Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha të hënën se Ukraina është bërë më e fortë gjatë më shumë se katër vjetësh luftë me Rusinë, por ende i mungon fuqia ushtarake e nevojshme për të ndalur presidentin rus Vladimir Putin.
Në një intervistë për Sky News, Zelenskyy tha se Ukraina ka zgjeruar prodhimin e saj vendas të armëve, përfshirë dronë dhe raketa, dhe ka nisur goditje me rreze të gjatë brenda Rusisë, për të rritur presionin ndaj Moskës.
"U bëmë kaq të fortë sa jemi tani, por jo aq sa për të ndalur Putinin", tha ai.
Ai tha se fushata e goditjeve të thella e Ukrainës synon t'ia sjellë pasojat e luftës Rusisë.
"Ajo çka përpiqemi të bëjmë (është) ta bëjmë këtë sfidë edhe për rusët, përndryshe ata nuk do ta ndiejnë se lufta është kudo, jo vetëm në Ukrainë", tha Zelensky. "Prandaj i nisëm operacionet tona të goditjeve të thella, thjesht për t'u përgjigjur".
Ai gjithashtu tha se aftësia në rritje e Ukrainës për goditje me rreze të gjatë ka çrregulluar furnizimet me karburant dhe logjistikën e Rusisë, duke rritur presionin ndaj Kremlinit.
Mbështetja ndërkombëtare
Lideri ukrainas tha se mbështetja më e fortë ndërkombëtare mbetet thelbësore, duke kërkuar sanksione më të ashpra dhe sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.
"Na duhen partnerë të fortë, dhe partnerët duhet të jenë më të fortë me sanksionet kundër Rusisë", tha ai.
Ai pretendoi se Putini po përgatit një raund të ri mobilizimi ushtarak pas zgjedhjeve rajonale të Rusisë në shtator.
"E kam marrë raportin nga inteligjenca", tha Zelensky, duke shtuar se Rusia mund të kërkojë të mobilizojë ndërmjet 300.000 dhe 500.000 trupa shtesë.
Në prag të një takimi të planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump, Zelensky tha se Ukrainës i duhen urgjentisht më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe raketa.
"Na duhet mbrojtje ajrore sa më shpejt të jetë e mundur", tha ai, duke shtuar se mungesat janë përkeqësuar teksa vëmendja amerikane është zhvendosur nga Lindja e Mesme.
Zelensky tha gjithashtu se Trumpi ra dakord të lejojë Ukrainën të prodhojë raketa Patriot nën licencë, megjithëse paralajmëroi se procedurat burokratike do të thotë se prodhimi do të marrë kohë.
Ai shtoi se presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu u zotua të mbështesë prodhimin me licencë të sistemeve të mbrojtjes ajrore Aster.
I pyetur për marrëdhënien e tij me Trumpin, Zelensky tha: "Kemi pasur takime të mira me të... Shpresoj dhe besoj se marrëdhëniet tona do të jenë më të mira."
Rusia thellon bashkëpunimin me Iranin, Kinën, Korenë e Veriut
Ai gjithashtu paralajmëroi se Rusia po thellon bashkëpunimin ushtarak me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën.
Sipas Zelenskyt, Koreja e Veriut mund të dërgojë 30.000 trupa në Rusi, ndërsa Irani mund të sigurojë raketa shtesë. Ai gjithashtu pretendoi se Kina ka rritur bashkëpunimin me Moskën, përfshirë në teknologjitë satelitore.
Duke iu drejtuar Britanisë, Zelensky tha se pret marrëdhënie të forta me qeverinë e re të vendit dhe dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin në mbrojtje, përfshirë prodhimin e përbashkët të dronëve.
"Dua të ndërtoj një fabrikë të madhe në Britani dhe të ofroj teknologji të reja, t'i ndaj me partnerët tanë", tha ai.
Zelensky gjithashtu mbrojti ndryshimet e fundit në udhëheqjen ushtarake të Ukrainës, duke thënë se mospajtimet nuk mund të vazhdonin, teksa vendi përgatitet për një dimër tjetër të vështirë dhe mundësinë e një ofensive më të madhe ruse.
I pyetur nëse ishte i shqetësuar për një sulm të mundshëm iranian ndaj Ukrainës, Zelensky tha se Irani ishte tashmë i përfshirë në luftë, duke furnizuar Rusinë me armë.
"Shpresoj që ata nuk do t'i shtojnë këto sulme, por duhet të jemi gati për gjithçka. Nuk mund t'u besojmë këtyre njerëzve, sepse që në fillim, pa asnjë përshkallëzim nga ana jonë, iranianët dhanë armë. Duhet të bëjmë gjithçka për të mos hapur një front të ri... (por) iranianët dhe koreano-veriorët na kanë sulmuar tashmë", tha ai.






















