Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj përmbushjes së obligimeve ndaj NATO-s dhe forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve të Armatës, duke theksuar se investimet në mbrojtje janë ndër prioritetet e qeverisë.
Siç njoftoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në aktivitetin me rastin e dorëzimit të pajisjeve të dhuruara nga Bashkimi Evropian (BE), Mickoski shprehu falënderim ndaj BE-së dhe ambasadorit për mbështetjen, duke vlerësuar se donacioni paraqet një njohje për cilësinë dhe përkushtimin e Armatës së Maqedonisë si pjesë e NATO-s.
"Bashkimi Evropian njeh cilësi dhe përkushtim te Armata maqedonase, e cila është pjesë përbërëse e Aleancës së NATO-s", tha Mickoski. Ai falënderoi edhe ministrinë e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, zëvendësministrin e tij, si dhe pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe të Armatës për profesionalizmin dhe angazhimin e tyre.
"Falënderimi më i madh u takon ushtarëve, të cilët gjithçka që patë sot e realizuan në mënyrë të përkryer", theksoi kryeministri.
Duke u ndalur te investimet në mbrojtje, Mickoski kujtoi se së fundmi në vend qëndroi komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Alexus Grynkewich, i cili, sipas tij, vlerësoi pozitivisht projektet infrastrukturore dhe investimet e Maqedonisë së Veriut në mbrojtje.
Sipas Mickoskit, shpenzimet për mbrojtjen arrijnë rreth katër për qind të prodhimit të brendshëm bruto, gjë që, sipas tij, përbën shembull për shumë vende anëtare të NATO-s.
"Ky është një objektiv që do të përpiqemi ta ruajmë edhe në vitet që vijnë. Edhe pse kjo do të jetë sfidë për shkak të rritjes së prodhimit të brendshëm bruto, Qeveria ka prioritet të investojë në Armatën maqedonase dhe ta bëjë atë edhe më konkurruese", tha Mickoski.
Ai porositi se Qeveria do të vazhdojë të investojë në modernizimin dhe zhvillimin e Armatës, me qëllim që ajo të mbetet e gatshme dhe plotësisht e harmonizuar me standardet e NATO-s.





















