Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë këtë të martë në samitin Shqipëri-Izrael që bën bashkë 40 kompani izraelite për ta garantuar sigurinë kibernetike dhe për ta forcuar ekonominë e Shqipërisë dhe rajonit përmes teknologjisë.
Rama vlerësoi dijen që ofron Izraeli në fushën e teknologjisë dhe ndihmën që do t’i japë Shqipërisë për të ecur para në këtë fushë.
“Ne jemi në një rrugë që e kemi çelur duke i besuar teknologjisë së re dhe duke i besuar digjitalizimit të infrastrukturës sonë e duke i besuar bekimit që është teknologjia e re për vende si tonat, që janë pas, por që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara dhe mund të bëjnë gjëra që ndonjëherë vendet e mëdha, shumë më të zhvilluara, shumë më të suksesshme në mënyrat e vjetra, e kanë më të vështirë të bëjnë”, shtoi Rama.
Sipas tij, Izraeli është shembulli më i jashtëzakonshëm i asaj që mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime.
Duke u ndalur te siguria kibernetike, Rama solli në vëmendje përballjen me sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë.
Rama vlerësoi ndihmën e Izraelit në përballjen e Shqipërisë me sulmet kibernetike.
“Falë kësaj ndihme dhe ndihmës edhe të miqve tanë nga Emiratet e Bashkuara si dhe disa ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtje dhe nuk është e lehtë sepse sistemi ynë mbrojtës duhet të përballonte sulmet e një armiku jo të lehtë m të cilin ndërpremë çdo marrëdhënie”, shtoi Rama.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, vendi ka një nivel krejt të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike dhe kjo falë edhe bashkëpunimit me Izraelin.
“Mund të them me krenari se mbrojtja jonë kibernetike është në një nivel krejt tjetër — falë bashkëpunimit me Izraelin dhe talenteve izraelite. Jemi më shumë se të lumtur t'ju kemi këtu dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku në të ardhmen”, tha Rama.
Ndryshe, ai theksoi se ka një rritje me më shumë se 700 për qind të vizitorëve hebrenj që vijnë në Shqipëri.





















