Federata Belge e Futbollit njoftoi të dielën se është "e habitur" nga vendimi i FIFA-s për t'i vënë në dispozicion sulmuesin amerikan Folarin Balogunit për ndeshjen e Kupës së Botës kundër përfaqësueses belge, pavarësisht kartonit të kuq të marrë në raundin e mëparshëm. Selektori kryesor Rudi Garcia kritikoi organin drejtues të futbollit për këtë vendim.
"Nuk e dija se 5 korriku është në fakt 1 prilli në Kupën e Botës. Kjo është shaka e 1 prillit", tha Garcia pasi FIFA pezulloi zbatimin e ndalimit automatik një ndeshje të Balogunit.
FIFA njoftoi të dielën se pezullimi i Balogunit u vu në provë për një vit, duke i lejuar sulmuesit 25-vjeçar të luajë në ndeshjen e raundit të 16-të të hënën kundër Belgjikës në Seattle.
Federata Mbretërore Belge e Futbollit (RBFA) njoftoi se FIFA e bazoi vendimin e saj në nenin 27 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, por argumentoi se neni 66.4 i të njëjtit kod përcakton se karta e kuqe rezulton automatikisht me pezullim për ndeshjen e ardhshme të ekipit. Federata u referua gjithashtu nenit 10.5 të Rregullores së Garës së Kupës së Botës FIFA 2026, i cili thotë se lojtari i përjashtuar me kartë të kuqe direkte ose indirekte është "automatikisht" i pezulluar për ndeshjen e ardhshme.
RBFA-ja njoftoi se natyra automatike e pezullimit ishte konfirmuar gjithashtu në Qarkoren nr. 16 të Kupës së Botës FIFA 2026, shpërndarë të gjitha federatave pjesëmarrëse më 12 maj, dhe ishte përsëritur gjatë takimeve të koordinimit të ndeshjeve dhe punëtorive të turneut. "Për të mbrojtur të drejtat legjitime të të gjitha ekipeve pjesëmarrëse dhe për t'i ruajtur parimet themelore të fair-play-it në sportin tonë, RBFA po hulumton të gjitha opsionet e mundshme", thuhet në njoftim.
New York Times raportoi se presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën telefonoi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar rishikimin e pezullimit të Balogunit, sipas tre personave të njohur me bisedën. Trump e përshëndeti vendimin e FIFA-s në platformën e tij Truth Social, duke shkruar se FIFA "bëri gjënë e duhur dhe ktheu mbrapsht një padrejtësi të madhe". Shtëpia e Bardhë nuk konfirmoi se Trump kontaktoi Infantinon ose mori meritën për vendimin.
Politico raportoi më vonë se ministri amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ishte i përfshirë në bisedime të fshehta me FIFA-n për pezullimin e ndalimit të kartës së kuqe të Balogunit. Thuhet se Lutnick ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me drejtuesit e organit qeverisës të futbollit.
Ky vendim shënon herën e parë që nga viti 1962 që FIFA i ka lejuar një lojtari të përjashtuar në Kupën e Botës të luajë në ndeshjen e ardhshme. Baloguni mori kartën e kuqe në minutën e 64-të të ndeshjes ku ShBA-ja mundi Bosnjë e Hercegovinën 2:0 më 1 korrik, pasi i shkel këmbën mbrojtësit boshnjak Tarik Muharemoviq. Ai ka shënuar tre gola në turne, ndërsa ShBA-ja kërkon kualifikimin e parë në çerekfinale që nga viti 2002.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kritikoi kartën e kuqe të enjten, duke u thënë gazetarëve se ekipi ishte "trajtuar në mënyrë të padrejtë". "Do të dëshiroja të kishte një procedurë ankese. Por ndoshta tani është shumë vonë", tha ai.


















