Presidenti amerikan, Donald Trump e përshkallëzoi mosmarrëveshjen e tij publike me kryeministren italiane Giorgia Meloni të dielën duke postuar një imazh të edituar në Truth Social që sugjeronte se ajo ishte tepër e interesuar për të, duke shkruar: “Nevojitet urdhër ndalimi”.
Postimi erdhi në prag të samitit të ardhshëm të NATO-s në Türkiye, ku Trumpi dhe Meloni pritet të takohen së bashku me liderë të tjerë të aleancës.
Ky shkëmbim vjen pas pretendimit të Trumpit javën e kaluar se Meloni kishte kërkuar vazhdimisht një fotografi me të gjatë samitit të fundit të G7-ës, duke thënë se ajo kishte kërkuar “përsëri dhe përsëri” një foto. Meloni e hodhi poshtë këtë si “krejtësisht të fabrikuar”, duke shtuar: “Italia dhe unë nuk lutemi kurrë".
“Unë nuk jam anti-amerikane, nuk kam qenë e përkulur. Unë jam një person që beson se Perëndimi është më i fortë i bashkuar, që beson se Italia është më e fortë në një Perëndim të bashkuar dhe kam punuar dhe vazhdoj të punoj për këtë", tha Meloni.
“Pas kësaj, megjithatë, marrëdhëniet e forta bazohen edhe në sinqeritet, dhe unë jam një person i drejtpërdrejtë", tha Meloni për televizionin italian "Rete 4", sipas agjencisë italiane të lajmeve "Adnkronos".
Mosmarrëveshja solli anulimin e një vizite të planifikuar në Uashington nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Mediat raportuan se tensionet mes Trumpit dhe Melonit janë rritur javët e fundit, përfshirë edhe për shkak të hezitimit të Italisë për të mbështetur përpjekjet amerikane kundër Iranit.




















