Franca nuk ka mjetet për të përballuar krizat dhe për t’u përballur, tha sot presidenti i Senatit, Gerard Larcher, duke e lidhur presionin aktual ekonomik me ndikimin e luftës në Lindjen e Mesme.
“E mbingarkuar me borxhe dhe e mbingarkuar me taksa, Franca nuk është më në gjendje të përballojë tronditjet", tha Larcher për transmetuesin BFM TV.
“E vërteta duhet t’u thuhet francezëve”, tha ai, duke shtuar se vështirësitë aktuale pasqyrojnë vendimet e marra gjatë dekadës së fundit.
“Ne po paguajmë për mungesën e vendimeve gjatë 10 viteve të fundit. Ne po paguajmë për ‘çfarëdo që të duhet’”, tha ai duke iu referuar politikave të shpenzimeve të epokës së pandemisë.
Larcher shtoi më tej se shpenzimet publike nuk u ulën dhe se reformat shtetërore nuk u kryen.
"Ky vlerësim vlen edhe për dy mandatet presidenciale të Emmanuel Macronit", tha ai duke bërë thirrje për një debat kombëtar vitin e ardhshëm mbi “si ta rikthejmë vendin në rrugën e duhur”.
Komentet e tij erdhën pasi qeveria njoftoi shkurtime shpenzimesh nga 4 miliardë euro deri në 6 miliardë euro në përgjigje të ndikimit ekonomik të konfliktit në Lindjen e Mesme. Larcher tha se priste masa të mëtejshme, duke iu referuar një takimi të komitetit të alarmit të financave publike në qershor.
"Do të ketë takim tjetër në qershor të komitetit të alarmit të financave publike dhe do të shohim, varësisht nga zhvillimet ndërkombëtare, nëse do të ketë nevojë për ngrirje shtesë apo shkurtime të përforcuara të shpenzimeve", vuri në dukje ai.
Sipas tij, ligjvënësit po e monitoronin nga afër situatën dhe e kishin paralajmëruar tashmë qeverinë gjatë debateve mbi buxhetin e vitit 2026.




















