| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rusia do ta rihapë Konsullatën e Përgjithshme në Bengazi pas 33 vitesh
I pyetur për bisedimet ShBA–Iran në Pakistan, Llavrov tha se Moska po i ndjek nga afër negociatat.
Rusia do ta rihapë Konsullatën e Përgjithshme në Bengazi pas 33 vitesh
Rusia do ta rihapë Konsullatën e Përgjithshme në Bengazi pas 33 vitesh / AP

Konsullata e Përgjithshme e Rusisë në Bengazi do të rihapet pas 33 vitesh, deklaroi të martën ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, pa specifikuar një datë të saktë.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë pas një takimi me ministrin e Jashtëm në detyrë të Libisë, Taher Al Baour, Llavrov tha: “Kemi rënë dakord të hapim Konsullatën tonë të Përgjithshme në Bengazi në një të ardhme shumë të afërt, përveç Ambasadës ruse në Tripoli.”

Ai theksoi se Konsullata e Përgjithshme në Bengazi ishte pezulluar në vitin 1983 “për arsye të ndryshme”.

Të dyja palët ranë dakord gjithashtu të rifillojnë komisionin ndërqeveritar ruso-libian, shtoi ai.

Lavrov tha se pret të mirëpresë delegacione libiane në edicionin e tretë të Samitit Rusi-Afrikë, i planifikuar për gjysmën e dytë të vitit.

“Shpresojmë që ky samit i tretë të miratojë një plan veprimi mes Rusisë dhe Afrikës për periudhën e ardhshme,” tha ai.

I pyetur për bisedimet ShBA–Iran në Pakistan, Lavrov tha se Moska po i ndjek nga afër negociatat.

“Do të analizojmë atë që po ndodh, megjithëse gjithçka zhvillohet shumë shpejt; brenda një dite situata mund të ndryshojë dhjetë herë në mënyrë diametralisht të kundërt,” tha ai.

Ai shtoi se nëse të dyja palët lëvizin drejt një marrëveshjeje të ngjashme me marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, kjo do të ishte “një sukses i madh”.

“Ne shohim kërcënime, shohim premtime, garanci se nëse bëni këtë do të përparoni. Dhe shohim qëndrimin e Iranit, i cili me të drejtë absolute thotë se tashmë është përballur me premtime të rreme, përfshirë programin gjithëpërfshirës të veprimit për zgjidhjen e programit bërthamor të Iranit,” tha ai.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, Llavrov u shpreh se shpreson që marrëveshjet ruso-amerikane të arritura në samitin presidencial në gusht të vitit të kaluar do të zbatohen.

Nga ana e tij, Al Baour tha se autoritetet libiane janë të interesuara për pjesëmarrjen e Rusisë në zgjidhjen e krizës së brendshme politike të vendit.

Ai shtoi se Rusia mban kontakte me të gjitha palët në Libi, duke e bërë kontributin e saj në arritjen e një paqeje të qëndrueshme të rëndësishëm.