Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje sot që aleatët evropianë të marrin përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit ndërsa aleanca kërkon ta forcojë rolin e Evropës në mbrojtjen e saj.
"Do të na duhet më shumë ndërsa vazhdojmë ta bëjmë NATO-n gjithnjë e më të udhëhequr nga Evropa", tha ai në Konferencën e Krerëve të Misioneve Gjermane në Berlin.
Rutte tha se përpjekjet e mbrojtjes në gjithë Evropën po përshpejtohen dhe se ai sheh një "ndryshim të vërtetë të mentalitetit" midis aleatëve evropianë. "Pas Samitit të Ankarasë (në korrik), një gjë është e qartë: aleatët janë të vendosur të ndërtojnë një Evropë më të fortë në një NATO më të fortë, atë që ne e quajmë NATO 3.0", tha ai.
Shefi i NATO-s theksoi se rindërtimi i forcave të armatosura është thelbësor për Evropën. "Evropianët e kuptojnë gjithnjë e më shumë se marrja e përgjegjësisë më të madhe për sigurinë tonë nuk është opsionale", tha Rutte.
Lidhur me luftën në Ukrainë, Rutte tha se Rusia po pëson "humbje të mëdha", duke cituar vlerësime për më shumë se 40 mijë rusë të vrarë ose të plagosur rëndë çdo muaj.
“Pavarësisht këtyre humbjeve të rënda, (presidenti rus Vlladimir) Putin nuk tregon gatishmëri për t'i dhënë fund luftës. Në vend të kësaj, Rusia sulmon vazhdimisht Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës, shpesh duke synuar civilët dhe infrastrukturën civile", deklaroi ai.
Duke folur për përpjekjet e fundit të raportuara për sabotim në gjithë Evropën, Rutte tha se këto janë taktika të një "regjimi të dëshpëruar" që nuk po arrin të përmbushë objektivat e tij në Ukrainë. "Putini mendon se mund të na përçajë, të na destabilizojë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën, por do të dështojë", tha ai.
Pas fjalimit të tij, Rutte mori pjesë në një diskutim të moderuar me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. I pyetur nëse mendon se ShBA-ja ende është e përgatitur për të mbrojtur Evropën, Rutte u përgjigj "absolutisht", duke shtuar se nuk ka dyshim.
"ShBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s, plotësisht e përkushtuar ndaj nenit 5", tha ai.

















