| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Softueri spiun izraelit u përdor ndaj ish-eurodeputetit grek në hetimin për mbikëqyrje të paligjshme
Raportohet se analiza forenzike zbuloi se telefoni i tipit iPhone i ish-eurodeputetit Kouloglou ishte infektuar me sukses me softuerin spiun Pegasus, të zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group.
Softueri spiun izraelit u përdor ndaj ish-eurodeputetit grek në hetimin për mbikëqyrje të paligjshme
Softueri spiun izraelit u përdor ndaj ish-eurodeputetit grek në hetimin për mbikëqyrje të paligjshme

Një softuer spiun izraelit u përdor për të hakuar telefonin e një ish-anëtari grek të Parlamentit Evropian ndërsa ai shërbente në një komitet që hetonte abuzimet me softuerë spiun në Evropë. 

"Citizen Lab" raportoi se grupi kërkimor me bazë në Universitetin e Torontos tha se analiza forenzike zbuloi se telefoni i tipit iPhone i ish-eurodeputetit Stelios Kouloglou ishte infektuar me sukses me softuerin spiun Pegasus, të zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group, në tetor të vitit 2022 dhe sërish në marsin e vitit pasues.

Kouloglou, gazetar dhe ish-eurodeputet, në atë kohë ishte anëtar zëvendësues i Komitetit PEGA të Parlamentit Evropian, i cili ishte krijuar për të hetuar përdorimin e Pegasusit dhe programeve të tjera të ngjashme të mbikëqyrjes në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

"Citizen Lab" tha se infektimet ndodhën gjatë periudhave kyçe të aktivitetit të Komitetit PEGA dhe mund të kenë ekspozuar informacione jo publike, dokumente konfidenciale dhe diskutime të brendshme të komitetit. “Softueri spiun me sa duket ka kapur informacione jo publike mbi aktivitetet e komitetit, duke shkelur potencialisht kornizat e konfidencialitetit dhe privilegjeve parlamentare të BE-së”, thuhet në raport.

Infektimi i parë ndodhi në kohën kur komiteti po përgatitej për seanca dëgjimore mbi softuerin spiun, po punonte për raportin paraprak dhe po planifikonte vizita faktmbledhëse në Greqi dhe në Administratën Greke Qipriote. Sipas "Citizen Lab", telefoni i Kouloglout u hakua 10 ditë para fillimit të këtyre vizitave.

Infektimi i dytë ndodhi ndërsa komiteti ishte i angazhuar në diskutime intensive për procesin përfundimtar të hartimit të raportit. Kouloglou ndodhej në Bruksel më 6 dhe 7 mars të vitit 2023, gjatë periudhës së infektimit.

- Kouloglou i tronditur nga gjetjet, e cilëson “të paimagjinueshme”

Sipas medias greke "Dnews", Kouloglou tha se ishte i tronditur nga gjetjet, duke e cilësuar si “të paimagjinueshme” faktin që një anëtar i komitetit parlamentar që hetonte abuzimet me softuer spiun ishte bërë vetë objekt mbikëqyrjeje.

Ai tha se planifikon të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanisë NSO Group dhe personave përgjegjës për infektimin e pajisjes së tij, si dhe ta ngrejë sërish çështjen përmes kontakteve të tij në Parlamentin Evropian. "Citizen Lab" tha se sulmet përdorën një shfrytëzim të tipit “zero-click”, që do të thotë se telefoni mund të komprometohej pa qenë nevoja që përdoruesi të hapte një lidhje apo të ndërmerrte ndonjë veprim.

Grupi tha se nuk ia atribuonte sulmet ndonjë qeverie të caktuar dhe nuk kishte gjetur asnjë tregues se qeveria greke ishte përgjegjëse.

Megjithatë, ai tha se infektimi i parë përkoi me një fushatë të Pegasus-it të identifikuar më parë, e cila kishte në shënjestër gazetarë dhe aktivistë në mërgim në Evropë që flisnin rusisht dhe bjellorusisht, duke sugjeruar se pas sulmit mund të ketë qenë një klient i Pegasus-it i autorizuar për të operuar në disa vende evropiane.

"Citizen Lab" paralajmëroi se rasti përbënte një kërcënim serioz për institucionet demokratike, duke theksuar se hakimi mund të ketë ekspozuar komunikime konfidenciale midis ligjvënësve dhe stafit të tyre, përfshirë edhe ndaj palëve që po hetoheshin nga vetë komiteti.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë