| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Belgjika kërkon mbrojtjen e sektorëve farmaceutikë dhe petrokimikë nga ShBA-ja dhe Kina
Kryeministri belg tha se ristrukturimi i planifikuar në kompaninë e madhe farmaceutike GSK, i cili mund të rezultojë në humbjen e më shumë se 1.200 vendeve të punës në Belgjikë, lidhet me nevojën e kompanisë për t'i rritur investimet në ShBA.
Belgjika kërkon mbrojtjen e sektorëve farmaceutikë dhe petrokimikë nga ShBA-ja dhe Kina
Belgjika kërkon mbrojtjen e sektorëve farmaceutikë dhe petrokimikë nga ShBA-ja dhe Kina

Kryeministri belg, Bart De Wever, ka bërë thirrje për mbrojtje më të fuqishme të sektorëve farmaceutikë dhe petrokimikë të vendit, duke argumentuar se presioni nga ShBA-ja dhe Kina po kërcënon industritë evropiane, pavarësisht konkurrueshmërisë së tyre.  

Duke folur në margjinat e samitit të BE-sw në Bruksel, sipas transmetuesit publik belg VRT, De Wever tha se ristrukturimi i planifikuar në kompaninë e madhe farmaceutike GSK, i cili mund të rezultojë në humbjen e më shumë se 1.200 vendeve të punës në Belgjikë, lidhet me nevojën e kompanisë për të rritur investimet në ShBA.

“Kur keni një president amerikan që kërkon investime në ShBA dhe refuzon të importojë më vaksina, kompani si GlaxoSmithKline përballen me vështirësi”, tha De Wever.

Ai theksoi se industria petrokimike e Belgjikës ka nevojë për mbrojtje, duke paralajmëruar se ky sektor po përballet me sfida serioze dhe është veçanërisht i cenueshëm.

Kryeministri belg gjithashtu kritikoi praktikat e Kinës në fushën e provave klinike, duke i cilësuar ato si konkurrencë të padrejtë të mbështetur nga subvencione të konsiderueshme shtetërore.

Ai argumentoi se BE-ja duhet ta forcojë tregun e saj të brendshëm, duke zhvilluar njëkohësisht masa për mbrojtjen e industrive evropiane nga konkurrenca e padrejtë e jashtme.

Sipas De Wever, integrimi i tregut evropian dhe mbrojtja e tij duhet të ecin paralelisht, duke shmangur njëkohësisht proteksionizmin e tepruar.

“Vetëm kur të kemi një treg të unifikuar, do të jemi në gjendje ta mbrojmë atë, duke shmangur kurthet e proteksionizmit të pamend. Nuk duhet të kopjojmë marrëzitë e të tjerëve”, tha ai.

Kryeministri belg pranoi se procesi i vendimmarrjes në Evropë është më i ngadaltë sesa në fuqitë e mëdha, por tha se kjo e pasqyron strukturën demokratike të bllokut.

“Por Evropa nuk është diktaturë. Nuk është një vend ku një president mund të vendosë diçka të hënën, të kundërtën të mërkurën dhe diçka tjetër përsëri të premten”, tha ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë