| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Mjekët pa kufij: Izraeli po përdor qasjen në ujë si “armë” të ndëshkimit kolektiv në Gaza
“MPF” përmend shkatërrimin e infrastrukturës së ujit dhe kufizimet e furnizimit që përkeqësojnë sëmundjet, zhvendosjen dhe vuajtjet humanitare.
Mjekët pa kufij: Izraeli po përdor qasjen në ujë si “armë” të ndëshkimit kolektiv në Gaza
Mjekët pa kufij: Izraeli po përdor qasjen në ujë si “armë” të ndëshkimit kolektiv në Gaza / AP

Organizata “Mjekët pa kufij” tha të martën se autoritetet izraelite po përdorin qasjen në ujë si një “armë” të ndëshkimit kolektiv kundër palestinezëve në Gaza, duke bërë thirrje për rikthimin e menjëhershëm të furnizimit me ujë dhe qasje të papenguar humanitare.

Në një raport të ri, “MPF” tha se kufizimet e përsëritura në qasjen në ujë janë pjesë e një “modeli sistematik dhe kumulativ”.

“Autoritetet izraelite e dinë se pa ujë jeta përfundon, megjithatë ata kanë shkatërruar qëllimisht dhe sistematikisht infrastrukturën e ujit në Gaza, ndërkohë që vazhdimisht kanë bllokuar furnizimet e lidhura me ujin që të hyjnë,” tha Claire San Filippo, menaxhere e emergjencave në “MPF”.

Sipas raportit, pothuajse 90% e infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve në Gaza është dëmtuar ose shkatërruar, përfshirë impiantet e desalinizimit, tubacionet dhe sistemet e ujërave të zeza.

“Palestinezët janë plagosur dhe vrarë thjesht duke u përpjekur të sigurojnë ujë,” tha San Filippo, duke paralajmëruar se mungesa e ujit po nxit përhapjen e sëmundjeve në kushtet e mbipopullimit dhe një sistemi shëndetësor të rrënuar.

“MPF” tha se një në pesë nga shpërndarjet e saj të ujit u ndërprenë midis majit dhe nëntorit 2025 për shkak të mungesave dhe kufizimeve të qasjes.

Organizata i bëri thirrje Izraelit të rikthejë qasjen në ujë “në nivelet e nevojshme”, ndërsa u kërkoi aleatëve të ushtrojnë presion ndaj Izraelit që të ndalojë pengimin e qasjes humanitare, përfshirë materialet e nevojshme për infrastrukturën e ujit.

“Pasojat e kësaj privimi nga qasja në ujë janë të gjera për shëndetin, higjienën dhe dinjitetin e njerëzve,” thuhet në raport.

BURIMI:AA