| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Sekretari amerikan i Shtetit: Ka shenja premtuese se Hamasi do të çmilitarizohet
"Ka patur disa shenja premtuese gjatë fundjavës se po i afrohemi një marrëveshjeje lidhur me çmilitarizimin e tyre", tha Rubio.
Sekretari amerikan i Shtetit: Ka shenja premtuese se Hamasi do të çmilitarizohet
Sekretari amerikan i Shtetit: Ka shenja premtuese se Hamasi do të çmilitarizohet / TRT Balkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi të hënën se ka "shenja premtuese" që grupi palestinez Hamas do të çmilitarizohet, duke vënë në dukje se tërësia e planit të presidentit Donald Trump për Rripin e Gazës së rrethuar varet nga ky veprim. 

"E di që partnerët tanë në Egjipt dhe Türkiye kanë qenë të përfshirë në këtë proces. Ka patur disa shenja premtuese gjatë fundjavës se po i afrohemi një marrëveshjeje lidhur me çmilitarizimin e tyre", tha Rubio gjatë një interviste për "Fox News".

"Por, kjo duhet të ndodhë. Tërësia e këtij projekti funksionon vetëm nëse Hamasi çmilitarizohet. Derisa kjo të ndodhë, gjithçka është në pikëpyetje", shtoi ai.

I pyetur nëse Uashingtoni do të mbështeste Izraelin në rifillimin e luftës në Gazë nëse Hamasi nuk i dorëzon armët, Rubio tha se nuk do të "spekulonte teorikisht për atë që presidenti mund ose nuk mund të mbështesë në të ardhmen".

"Le të shpresojmë se mund ta shmangim këtë. Ky nuk është rezultati që duam. Rezultati që duam është që Hamasi të çmilitarizohet dhe një forcë sigurie palestineze e mbështetur nga një forcë sigurie ndërkombëtare të jetë në gjendje të sigurojë Gazën", tha ai.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem tha për Anadolu se këmbëngulja për çarmatimin dhe anashkalimi i kërkesave të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë bie ndesh me planin e Trumpit për Rripin e Gazës. Sipas tij, kjo gjë "ndërlikon negociatat për fazën e dytë".

Vërejtjet e Qassemit erdhën pas një takimi të mbajtur gjatë javës së kaluar në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, i cili mblodhi së bashku zyrtarin e lartë të Hamasit në Gazë, Khalil al-Hayya, zyrtarë egjiptianë, përfaqësuesin e lartë për Gazën në Bordin e Paqes, Nikolay Mladenov dhe këshilltarin e lartë amerikan, Aryeh Lightstone.

Zëdhënësi i Hamasit bëri thirrje për zbatimin e detyrimeve të fazës së parë përpara se të kalon dritë në çdo diskutim të mëtejshëm. Shtatorin e kaluar, Trumpi njoftoi një plan për t'i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza. Faza e parë përfshin një armëpushim, tërheqje të pjesshme izraelite, lirimin e pengjeve të mbetur izraelitë në Rrip dhe hyrjen e 600 kamionëve me ndihma.

Hamasi thotë se ndërsa ka respektuar angazhimet e fazës së parë duke liruar pengjet izraelite, Izraeli dështoi të përmbushë detyrimet e tij humanitare dhe vazhdoi sulmet e tij, duke vrarë 786 palestinezë dhe duke plagosur 2.217 të tjerë.

Faza e dytë përfshin një tërheqje më të gjerë nga Gaza të ushtrisë izraelite, e cila vazhdon të pushtojë më shumë se 50 për qind të sipërfaqes së saj, rindërtimin dhe fillimin e çarmatimit të fraksioneve.

Mbi kërcënimet izraelite për t'u kthyer në luftime, Qassem i quajti ato "mjete presioni" që nuk do të kenë sukses, duke thënë se Izraeli "nuk e ka ndalur në fakt luftën" mes vrasjeve në vazhdim, pushtimit të pjesëve të Rripit dhe kufizimeve të ndihmës.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, së fundmi përsëriti thirrjen e tij për të ripushtuar plotësisht Gazën dhe për të krijuar vendbanime atje, sipas "Channel 14".

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë